Hakan Çopur
30 Tetor 2017•Përditësim: 30 Tetor 2017
WASHINGTON (AA) - Ndihmës sekretari i Departamentit Amerikan të Shtetit për Çështjet e Popullsisë, Refugjatëve dhe Emigracionit, Simon Henshaw, bashkë me një delegacion do të zhvillojë vizita në Mianmar dhe Bangladesh dhe do të kryejë bisedime në lidhje me çështjen e muslimanëve të Arakanit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë me shkrim të publikuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit thuhet se Henshaw, bashkë me delegacionin që e shoqëron gjatë periudhës 29 tetor - 4 nëntor do të zhvillojë takime në këto dy vende.
Delegacioni në takimet që do të zhvillojë në këto vende do të diskutojë për krizën e muslimanëve të Arakanit, dërgimin e ndihmave në rajonet në nevojë dhe për situatën e fundit në rajonet e migrimit.
Gjithashtu në deklaratë thuhet se delegacioni në drejtimin e Henshaw do të realizojë takime zyrtare të nivelit të lartë në Mianmar dhe Bangladesh. Ndërsa duke vizituar qytetin Cox's Bazar në Bangladesh do të realizohen takime në lidhje me situatën e qytetarëve të Arakanit të cilët kanë mbetur të detyruar të migrojnë.
Mbi 600 mijë muslimanë të Arakanit janë larguar në Bangladesh
Mijëra muslimanë të Arakanit kanë humbur jetën që nga 25 gushti e deri tani si rezultat i sulmeve të ushtrisë së Mianmarit, e cila pretendon se është duke luftuar me militantë të armatosur. Numri i saktë i viktimave ende nuk mund të verifikohet, për arsye se qeveria e Mianmarit nuk lejon hyrjen dhe daljet në rajon.
Gjatë sulmeve të cilat janë shndërruar në një spastrim etnik janë djegur ose shkatërruar më shumë se 300 fshatra nga ushtria dhe budistët radikalë, si dhe mbi 600 mijë muslimanë të Arakanit janë larguar në Bangladesh nëpërmjet rrugëve malore, detare apo të lumenjve. Ndërkohë dhjetëra mijëra të tjera janë në kërkim të rrugëve për tu larguar në Bangladesh.