Dildar Baykan Atalay
06 Prill 2022•Përditësim: 06 Prill 2022
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, konfirmoi se nesër njëkohësisht me Evropën do të njoftojnë sanksionet e reja ekonomike kundër Rusisë, pas gjetjes së trupave të civilëve në qytetin Bucha në afërsi të Kievit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një konferencë ditore për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, Psaki ka konfirmuar lajmet e mediave se SHBA-ja do të njoftojë sanksione të reja kundër Rusisë.
"Këto sanksione, do të vendosin në objektiv zyrtarët e qeverisë ruse, anëtarët e familjeve të tyre si dhe institucione dhe organizata të lidhura me shtetin rus. Sanksionet do t'i njoftojmë nesër", tha Psaki.
Psaki vuri në dukje se ashtu si në sanksionet e mëparshme edhe këto sanksione do të zbatohen njëkohësisht në bashkëpunim me aleatët evropianë dhe se brenda paketës së sanksioneve do të jenë edhe kufizimet e investimeve në Rusi.
"Ndajmë zhgënjimin e Zelenskyy-t për KS-OKB-në"
Lidhur me kritikat që presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, shprehu në një fjalim në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB) se këshilli nuk ka bërë më të mirën e tij për Ukrainën dhe se Rusia është ende anëtare e përhershme e këshillit, Psaki deklaroi: "Ndajmë zhgënjimin e Zelenskyyt që Rusia është ende anëtare e përhershme e KS-OKB-së dhe nuk shohim asnjë ndryshim në këtë çështje. Ne aktualisht po punojmë për të siguruar ndihmë ndaj Ukrainës në shumë fusha. Njëra prej këtyre është sigurimi në mënyrë të drejtpërdrejtë i pajisjeve ushtarake për Ukrainën".