Michael Hernandez
19 Nëntor 2017•Përditësim: 19 Nëntor 2017
WASHINGTON (AA) – SHBA ka kërcënuar me mbylljen e zyrës së Organizatës për Çlirimin e Palestinës (OÇP) për thirrjen e tyre për ndjekje penale të zyrtarëve izraelitë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) për krime kundër palestinezëve, raporton Anadolu Agency (AA).
Ky veprim mund të jetë karta e fundit e Presidentit të SHBA-së Donald Trump për të nisur bisedimet e paqes.
Trump mund të parandalojë këtë hap nëse vërtetohet se palestinezët "kanë hyrë në bisedime serioze dhe direkte me Izraelin", theksoi për AA një zyrtar i Departamentit të Shtetit në kushte anonimiteti.
Sipas ligjit të SHBA-ve nga viti 2015, Sekretari i Shtetit është dashur të vërtetojë para Kongresit se OÇP nuk ka ngritur procedura në GJND, por Rex Tillerson këtë nuk ka mundur ta bëjë në afatin e nëntorit.
Kjo ka të bëjë me thirrjen e Presidentit palestinez Mahmud Abbas, që GJND të hapë hetime për ndjekje penale të zyrtarëve izraelitë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në shtator të këtij viti.
Për momentin, bisedimet e paqes mes palestinezëve dhe izraelitëve kanë ngecur ndërsa administrata e Trumpit kërkon rinisjen e tyre.
Zyrtari i Departamentit të Shtetit për AA theksoi se Washingtoni nuk ka shkëputur lidhjet me OÇP-në dhe se synimi i saj është të vazhdojë të punojë me autoritetet palestineze dhe gjatë vazhdimit të bisedimeve të paqes.
OÇP zyrtarisht është njohur si përfaqësuese e popullit palestinez dhe autoritetet palestineze janë organi qeverisës në Bregun Perëndimor dhe në Gaza.