Servet Günerigök
07 Qershor 2023•Përditësim: 07 Qershor 2023
Viti 2021 dëshmoi një realitet tragjik në SHBA, ku mesatarisht një person ka humbur jetën çdo 11 minuta si pasojë e drejtpërdrejtë e dhunës me armë, sipas një raporti të publikuar të martën, transmeton Anadolu.
Raporti i titulluar "Dhuna me armë në SHBA në 2021: Llogaritja e krizës së shëndetit publik" nga Qendra "Johns Hopkins" për Solucionin e Dhunës me Armë, zbuloi se në vitin 2021, vdekjet nga armët arritën numrin më të lartë të regjistruar ndonjëherë për të dytin vit radhazi.
"Afro 49 mijë njerëz humbën jetën nga dhuna me armë në SHBA në vitin 2021. Çdo ditë, mesatarisht 134 persona vdisnin nga dhuna me armë – një vdekje çdo 11 minuta", thuhet në raport.
Sipas raportit, 48.830 persona humbën jetën nga armët e zjarrit në 2021, që është një rritje prej mbi 3.600 vdekjesh nga viti 2020 kur u regjistruar rekordi i mëparshëm. Nga këto, raporti zbuloi se 26.328 ishin vetëvrasje me armë zjarri në vitin 2021 dhe janë regjistruar 20.958 vrasje.
Sipas raportit, shkalla e vetëvrasjeve me armë përbën rritje prej 8.3 për qind nga viti 2020, rritja më e madhe njëvjeçare në më shumë se katër dekada ndërsa shkalla e vrasjeve me armë u rrit me 7.6 për qind.
"Armët edhe një herë ishin shkaku kryesor i vdekjeve në mesin e fëmijëve dhe adoleshentëve në vitin 2021, duke shkaktuar më shumë vdekje sesa COVID-19, aksidentet me makinë apo kanceri", thuhet në raport.
Studimi tregoi se personat me ngjyrë ndikohen në mënyrë disproporcionale nga vrasjet me armë. Sipas raportit, personat me ngjyrë kishin gati 14 herë më shumë gjasa të vdisnin nga dhuna me armë sesa të bardhët.
"Meshkujt e rinj me ngjyrë (15-34 vjeç) janë të prekur në mënyrë disproporcionale, ndonëse ata përbëjnë 2 për qind të popullsisë së përgjithshme në SHBA, ndërkaq ata përbëjnë 36 për qind të të gjitha vrasjeve me armë në vitin 2021. Shkalla e tyre e vrasjeve me armë zjarri ishte 24 herë më e lartë se meshkujt e bardhë të grupmoshës së njëjtë", thuhet në raport.
Raporti përpiloi të dhënat duke përdorur bazën e të dhënave të Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve për shkaqet themelore të vdekjes.
Ata u kërkuan politikbërësve të shqyrtojnë aksesin dhe disponueshmërinë e lehtë të armëve të zjarrit, për të cilat thanë se nxisin normat e larta të vetëvrasjeve dhe vrasjeve në SHBA.