Servet Günerigök
22 Tetor 2020•Përditësim: 22 Tetor 2020
Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) pretenduan se Rusia dhe Irani po përpiqeshin të ndikonin në zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit, duke e akuzuar këtë të fundit për dërgimin e "e-mailit të falsifikuar" për të dëmtuar Presidentin amerikan, Donald Trump, raporton Anadolu Agency (AA).
"Ne duam të paralajmërojmë publikun se kemi identifikuar që dy aktorë të huaj, Irani dhe Rusia, kanë ndërmarrë veprime specifike për të ndikuar në opinionin publik në lidhje me zgjedhjet tona", tha drejtori i Inteligjencës Kombëtare, John Ratcliffe, gjatë një konferencë shtypi së bashku me drejtorin e Byrosë Federale të Hetimit (FBI), Christopher Wray.
Ratcliffe tha se Rusia dhe Irani kanë marrë veçmas informacione të caktuara për regjistrin e votuesve, të cilat ai tha se mund të përdoren nga aktorë të huaj në përpjekje për t'u komunikuar informacione të rreme votuesve, që ata shpresojnë se "do të shkaktojnë konfuzion dhe do të minojnë besimin tuaj në demokracinë amerikane".
"Tashmë kemi parë Iranin që dërgon e-mail të falsifikuar për të frikësuar votuesit, për të nxitur trazira sociale dhe për të dëmtuar Presidentin Trump. Ju mund të keni parë disa raportime për këtë në 24 orët e fundit, ose mund të keni qenë edhe një nga marrësit e atyre postave elektronike", tha ai.
Ratcliffe gjithashtu akuzoi Iranin për "shpërndarjen e përmbajtjeve tjera duke përfshirë një video që nënkupton se individët mund të hedhin vota mashtruese edhe nga jashtë".
"Kjo video dhe çdo pretendim në lidhje me votime të tilla gjoja mashtruese nuk janë të vërteta", tha Ratcliffe.
Wray tha se koordinimi me sektorin privat dhe infrastrukturën zgjedhore në SHBA mbetet i fortë kundër çdo ndërhyrje.
"Nuk do të tolerojmë ndërhyrjen e huaj në zgjedhjet tona ose ndonjë veprimtari kriminale që kërcënon shenjtërinë e votës tuaj ose minon besimin e publikut në rezultatin e zgjedhjeve", shtoi ai.