Mohamad Misto
29 qershor 2017•Përditësim: 30 qershor 2017
HASEKE/ANKARA (AA) - Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) me arsyetimin për luftën kundër DEASH-it vazhdojnë ndihmat ushtarake për organizatën terroriste PYD/PKK në Siri. Në dërgesat e kryera javën e fundit për elementët e organizatës në veri të Rakka-s janë dërguar afërsisht 120 maune, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas informacioneve të marra nga gazetarët e AA-së në Haseke mësohet se afërsisht 120 maune me municione dhe pajisje ushtarake kanë hyrë duke kaluar nga kufiri me Irakun në rajonin Haseke nën kontrollin e organizatës më 21 dhe 26 qershor.
Gjithashtu bëhet e ditur se në rajonin e PYD/PKK-së janë dërguar 60 maune më 5 qershor dhe më 12 qershor 20 maune.
Pasi presidenti amerikan, Donald Trump, dekretoi zyrtarisht politikën për armatosjen e organizatës terroriste PYD/PKK nga SHBA-ja, që nga 15 maji është kryer një dërgesë prej 468 maunesh me ndihma ushtarake.
Sipas dokumentit që gazetari i AA-së ka marrë nga Departamenti Amerikan i Mbrojtjes (Pentagon), theksohet se në listën e armëve që do t'u jepen grupeve në Siri brenda të cilëve ndodhen edhe PYD/PKK-ja përfshihen 12 mijë pushkë të markës kallashnikov, 6 mijë armë automatike, 3.500 armë të rënda automatike, 3 mijë copë RPG-7 prodhim amerikan si dhe 1000 copë anti-tank AT-4 prodhim amerikan ose SPG-9 prodhim rus.
Gjithashtu në të njëjtin kuadër do të jenë edhe 235 predha topi të kalibrave të ndryshëm, 100 pushkë snajper, 450 copë dylbi të tipit PV-7 për pamje nate si dhe 150 copë ndriçues lazer me infra të kuqe.
Operacioni "Vendosmëria Natyrale" e forcave të detyrës së bashkuar të udhëhequr nga SHBA-të ishte njoftuar për fillimin e operacionit në Rakka (drejt qendrës së qytetit) që nga 6 qershori. Por, dihet se SHBA-të kanë dërguar ndihma ushtarake për PYD/PKK-në që nga prilli i vitit 2016 e deri më tani.