Islam Doğru
05 Qershor 2023•Përditësim: 06 Qershor 2023
Në kryeqytetin e SHBA-së, Washington D.C. është dëgjuar një zhurmë e madhe shpërthimi e cila ka shkaktuar panik, transmeton Anadolu.
Në postimet e bëra në mediat sociale thuhet se rreth orës 15:30 me orën lokale është dëgjuar një zhurmë e ngjashme me zërin e shpërthimit sonik. Bëhet e ditur se për shkak të shpërthimit, nëpër shtëpi është ndier tronditje dhe se disa përdorues të medias sociale kanë komentuar se shpërthimi mund të jetë në lidhje me një stërvitje ushtarake të mundshme.
Pas denoncimeve në linjat e urgjencës nga qytetarët, njoftohet se policia ka pyetur për ngjarjen Administratën Federale të Aviacionit (FAA) dhe se në një postim nga llogaria në Twitter e Departamentit të Sigurisë së Brendshme është theksuar: "Jemi të vetëdijshëm për shpërthimin e dëgjuar në kryeqytet, aktualisht nuk ka ndonjë kërcënim".
Më pas nga llogaria në median sociale të Zyrës së Administratës së Emergjencave të Annapolis është ndarë informacioni se shpërthimi në fjalë, është shkaktuar nga një "fluturim i autorizuar i Departamentit të Mbrojtjes" dhe se avioni luftarak në fjalë që ka kaluar kufirin e zërit ka shkaktuar shpërthimin.
Në një deklaratë me shkrim nga Administrata Federale e Aviacionit thuhet se një avion i llojit Cessna që është ngritur nga Tennessee drejt Long Island ka hyrë në zonën e ndaluar për fluturim mbi Washington dhe më pas ka rënë në një zonë malore në jugperëndim të Virgina-s.
Në shtypin amerikan vihet në dukje se avioni në fjalë nuk i është përgjigjur paralajmërimeve në radio dhe se pas kësaj avionët F-16 janë ngritur në ajër me autorizimin e reagimit emergjent me shpejtësi supersonike, gjë e cila ka shkaktuar shpërthimin e zërit.
Gjithashtu bëhet e ditur se gjatë kësaj ngjarjeje, avionët luftarakë për të tërhequr vëmendjen e pilotit kanë përdorur fishekët gjurmues të cilët mund të shihen edhe nga popullata dhe se fishekët nuk kanë përbërë ndonjë rrezik për njerëzit sepse kanë veçorinë për t'u shpërndarë duke u fikur me shpejtësi dhe plotësisht.
Ndërkohë nuk janë ndarë informacione se përse avioni nuk i është përgjigjur thirrjeve, se sa persona ndodheshin brenda tij dhe se përse është rrëzuar. Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë, kanë njoftuar se është informuar presidenti i SHBA-së, Joe Biden i cili gjatë ngjarjes po luante golf në bazën ushtarake Maryland.
Vihet në dukje se vazhdon hetimi nga FAA lidhur me ngjarjen dhe se detajet do të transmetohen më vonë.