Mahmut Geldi
15 Gusht 2021•Përditësim: 16 Gusht 2021
Të paktën 28 persona kanë humbur jetën kur një cisternë karburanti shpërtheu në Libanin verior, tha një burim mjekësor për Anadolu Agency (AA).
Ministri i Shëndetësisë, Hamad Hasan, më herët tha se numri i të vdekurve nga shpërthimi ishte 22 dhe 79 të tjerë u plagosën.
Ministri tha se disa nga të plagosurit në shpërthim ishin në gjendje kritike.
Cisterna shpërtheu në rajonin Akkar në veri të vendit të dielën herët, tha Gjysmëhëna e Kuqe Libaneze në një deklaratë.
Sipas agjencisë zyrtare libaneze të lajmeve, ekipet e kërkim-shpëtimit ende janë duke kërkuar personat e zhdukur pas shpërthimit. Rrethanat e shpërthimit të cisternës janë ende të paqarta.
Ushtria libaneze tha se arrestoi djalin e pronarit të tokës në qytetin Talali ku ndodhi shpërthimi.
Ndërkohë, presidenti libanez Michel Aoun bëri thirrje për një takim urgjent të Këshillit Suprem të Mbrojtjes të vendit për të diskutuar pasojat e shpërthimit.
Nga ana e tij, kryeministri i caktuar Najib Mikati tha se shpërthimi ishte rezultat i shfrytëzuesve të krizës së karburantit në vend.