Serdar Dincel
08 korrik 2026•Përditësim: 09 korrik 2026
Shpërthime u dëgjuan në Iran të mërkurën mbrëma, pak pas kërcënimit të presidentit amerikan Donald Trump për të kryer sulme të reja ndaj vendit, transmeton Anadolu.
Agjencia e lajmeve Mehr njoftoi se tetë shpërthime u raportuan në Bandar Abbas, në jug të Iranit.
Agjencia shtetërore iraniane e lajmeve IRNA tha se rreth dhjetë shpërthime u dëgjuan gjithashtu në Chabahar dhe Konarak, në juglindje të Iranit, ndërsa energjia elektrike është ndërprerë në disa pjesë të Chabaharit.
Shpërthime u dëgjuan edhe në disa zona të provincës jugperëndimore iraniane Bushehr, sipas ggjencisë së lajmeve Mehr.
Transmetuesi shtetëror iranian IRIB raportoi për shpërthime në fshatin Tahrouyi pranë Sirikut, në ishullin Abu Musa pranë Ngushticës së Hormuzit dhe në qytetin portual juglindor Jask.
Mehr tha se mbrojtja ajrore iraniane u angazhua ndaj “objektivave armiqësorë” pranë Bandar Abbasit.
Komanda Qendrore e Ushtrisë Amerikane (CENTCOM) konfirmoi se forcat amerikane kanë nisur një raund të ri sulmesh ndaj Iranit, me synim dobësimin e mëtejshëm të aftësisë së Teheranit për të kërcënuar lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit.
Trump më herët tha se Washingtoni “me shumë gjasa” do të godasë përsëri Iranin të mërkurën mbrëma, pas sulmeve amerikane gjatë natës, si kundërpërgjigje ndaj sulmeve ndaj anijeve në Ngushticën e Hormuzit.