Davut Demircan
06 korrik 2020•Përditësim: 07 korrik 2020
Organizata terroriste PKK/YPG është përpjekur të rekrutojë me forcë fëmijë që humbën prindërit e tyre në luftën civile në Siri, thanë sot burime brenda Forcave Turke të Sigurisë për Anadolu Agency (AA).
Pasi ka pësuar goditje të mëdha vitet e fundit, PKK/YPG ka krijuar ekipe për të kërkuar fëmijë dhe të rinj të këtillë dhe për "t'ua larë trurin", duke i kërcënuar ata nëse nuk u bashkohen radhëve të terroristëve.
Sipas raportimeve nga forcat e sigurisë, këto ekipe kanë ndjekur jetimët sirianë midis moshës 10 dhe 15 vjeç dhe i kanë rrëmbyer në kampet e terroristëve për t’i indoktrinuar ata me ideologjinë e tyre dhe i trajnojnë për luftime të armatosura pasi mbushin 16 vjet.
Grupi terrorist i ka penguar këta fëmijë që të shohin familjet e tyre, duke i torturuar dhe burgosur ata që insistojnë ta bëjnë këtë.
Disa anëtarë të grupit terrorist që më herët iu dorëzuan forcave të sigurisë kanë konfirmuar këto raportime, duke rrëfyer para autoriteteve gjyqësore se si rekrutohen fëmijët me forcë.
Në dëshmitë e tyre, terroristët kanë thënë se të paktën 30-50 fëmijë ishin indoktrinuar në katër lokacione: Gare në Irak; si dhe Derik, al-Hasakah dhe Qamishli në Siri.
Raporti amerikan: PKK/YPG përdor ushtarë-fëmijë
Në raportin e SHBA-së për Trafikimin e Personave për vitin 2020 të publikuar më 26 qershor, edhe Departamenti Amerikan i Shtetit tha se organizata terroriste kishte detyruar fëmijët të luftojnë.
Raporti thotë se PKK/YPG "vazhdoi të rekrutojë, trainojë dhe përdorë djem dhe vajza të reja deri 12 vjeç", duke shtuar se që nga viti 2017, vëzhguesit ndërkombëtarë kanë raportuar që terroristët "rekrutojnë fëmijë, herë pas here me forcë, nga kampet e zhvendosjes në verilindje të Sirisë".
Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut publikoi të dhëna të reja në një raport më 16 janar ku thuhet se terroristët e PKK/YPG përdornin ushtarë fëmijë në Siri.
Virginia Gamba, përfaqësuesja speciale e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për fëmijët në konflikte të armatosura, u takua me një terrorist të PKK/YPG në qershor të vitit 2019 në Gjenevë dhe nënshkroi një marrëveshje për t'i dhënë fund rekrutimit të fëmijëve-ushtarë, që është një tjetër provë e krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit të grupit terrorist.
Asnjë publikim tjetër i OKB-së që nga ajo kohë nuk raportoi asgjë në lidhje me këtë marrëveshje, e as përfundimin e kësaj praktike.
Në fushatën e saj terroriste mbi 30-vjeçare kundër Turqisë, PKK, e renditur si një organizatë terroriste nga Turqia, SHBA dhe BE, ka qenë përgjegjëse për vdekjen e mbi 40 mijë personave, përfshirë gra, fëmijë dhe foshnje. YPG është dega siriane e PKK-së.