Ecem Şahinli Ögüç
22 Qershor 2023•Përditësim: 23 Qershor 2023
Teksa prej 50 ditësh vazhdon greva e filluar nga Unioni i Skenaristëve Amerikanë (WGA), shumë skenaristë të Hollywood-it mbajtën protestë në Los Angeles, transmeton Anadolu.
Rreth 1.000 skenaristë u mblodhën në protestën që u mbajt në Los Angeles me kërkesën për garanci pune dhe page.
Skenaristi dhe komediani amerikan, Adam Conover, në një fjalim tha se vazhdojnë betejën e tyre me kërkesën për "punë të qëndrueshme në Hollywood ku lakmia është e institucionalizuar".
"Hollywood nuk mund të qëndrojë në këmbë pa skenaristët. Nuk do të kishin asgjë pa ne", tha Conover.
Skenaristët besojnë se do të rezultojë me sukses greva e cila vazhdon prej 50 ditësh dhe e cila mbështetet nga shumë aktorë dhe punonjës.
- Greva e skenaristëve në Hollywood
Në vitet e fundit ku është përjetuar rritje e shpejtë në prodhimin e filmave dhe serialeve vjetorë, skenaristët thonë se po punojnë nën kushte shumë më të vështira dhe se në këmbim të kësaj marrin më pak pagesë.
Greva e filluar më 2 maj nga WGA, mund të shkaktojë vonesa në shfaqjen e filmave.
Skenaristët për herë të fundit nisën grevë në vitin 2007 dhe lënia e punës për 100 ditë nga punonjësit shkaktoi dëme prej rreth 2 miliardë dollarë.