Özcan Yıldırım
05 maj 2021•Përditësim: 05 maj 2021
Ministri turk i Mbrojtjes, Hulusi Akar, ka deklaruar se prania e ushtrisë turke në Libi rrjedh nga mbrojtja e të drejtave të popullit libian, raporton Anadolu Agency (AA).
"Sovraniteti dhe pavarësia e Libisë është e rëndësishme. Kishte disa probleme kur kemi ardhur këtu. Ne bëmë çdo përpjekje të mundshme për të tejkaluar këto probleme në tokë, det dhe ajër. Rezultate të rëndësishme janë arritur në këtë pikë", tha Akar dje para personelit ushtarak në Tripoli.
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Libisë, Muhammad Ali Ahmad al-Haddad dhe komandanti ushtarak i rajonit perëndimor, Osama al-Juwali, po ashtu ishte i pranishëm në këtë ngjarje.
"Vëllezërit dhe motrat tona libiane vazhdojnë të punojnë krah për krah me Turqinë në mënyrë që të ndërtojnë forcat e armatosura dhe të modernizojnë organizimin e tyre", theksoi Akar.
Siç theksoi ai, Turqia vazhdon aktivitetet e saj në Mesdheun Lindor nën marrëveshjen detare me Libinë.
"Përpjekjet e Greqisë për të marr nëpër këmbë këtë marrëveshje janë të kota. Ne jemi për zgjidhjen e problemeve përmes ligjit ndërkombëtar, fqinjësisë së mirë, dialogut dhe metodave paqësore. Ne i respektojmë të drejtat sovrane dhe integritetin territorial të të gjithë fqinjëve tanë brenda kornizës së ligjit ndërkombëtar", u shpreh Akar.
Ai përsëriti se Libia i përket popullit libian.
"Deri më tani, gjithsej 4.407 mjete shpërthyese të improvizuara (IED) janë zbuluar në vend. Rreth 55 civilë humbën jetën për shkak të shpërthimeve. Ne do të vazhdojmë të bëjmë gjithçka që kjo të mos ndodhë më", tha shefi i mbrojtjes turke.
Akar shtoi se prania e Turqisë në Libi po ashtu ka një rëndësi jetësore në drejtim të mbrojtjes së të drejtave dhe interesave në Mesdheun Lindor.