Şenhan Bolelli
23 Korrik 2023•Përditësim: 24 Korrik 2023
Qytetarët spanjollë sot po shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votës për zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme në Spanjë, raporton Anadolu.
Votuesit do të zgjedhin 350 deputetë dhe 208 senatorë në zgjedhjet e përgjithshme, të cilat duhej të mbaheshin në dhjetor në kushte normale, por paracaktuan me vendimin e kryeministrit Pedro Sanzhez pas humbjes së partive partnere të qeverisë në zgjedhjet lokale të 28 majit.

Procesi i votimit, i cili nisi në orën 09:00 me kohën lokale, po zhvillohet në 210 mijë kuti votimi në 60 mijë tryeza zgjedhore të ngritura në 22.522 shkolla.
Në zgjedhje janë regjistruar rreth 37,4 milionë votues, 2,3 milionë prej të cilëve janë jashtë vendit.
Zgjedhjet, të cilat përkojnë për herë të dytë në historinë e demokracisë së vendit me periudhën e verës, ka shkaktuar polemika për shkak të vapës së madhe.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme, mbi 90 mijë pjesëtarë të sigurisë janë në detyrë në zgjedhje.
Nga ana tjetër, për shkak të periudhës së pushimeve dhe vapës ekstreme, rreth 2,6 milionë spanjollë kanë përdorur votën me postë, duke shënuar “rekord” të votave në këtë mënyrë, rreth dyfishi në krahasim me zgjedhjet e fundit.
Partia Socialiste e Punëtorëve (PSOE), e cila ka qenë në pushtet në Spanjë që nga janari 2020 dhe përbën qeverinë e parë të koalicionit në historinë e demokracisë së vendit, dhe aleanca e krahut të majtë ekstrem Unidas Podemos, qeverisin vendin me pakicë parlamentare.
Sondazhet tregojnë se partia kryesore opozitare e krahut të djathtë, Partia Popullore (PP), do të dalë fituese në zgjedhje, por do të detyrohet të formojë qeveri koalicioni me partinë e ekstremit të djathtë Vox pasi nuk do të fitojë shumicën parlamentare. Nëse kjo mundësi ndodh, një parti e ekstremit të djathtë do të vijë në pushtet për herë të parë në Spanjë pas epokës së diktatorit Franko.
Votimi do të përfundojë në orën 20:00 me kohën lokale në gjithë vendin, ndërsa qendrat e votimit në Ishujt Kanarie jugore do të mbyllen me një orë vonesë për shkak të diferencës kohore.