Şenhan Bolelli
05 nëntor 2017•Përditësim: 05 nëntor 2017
MADRID (AA) - Në kulmin e krizës të shkaktuar nga referendumi antikushtetues për pavarësinë e Katalonjës, 13 komuna në provincën spanjolle të Baskisë mbajtën një referendum simbolik për të parë disponimin e qytetarëve rreth idesë së pavarësisë së rajonit, raporton Anadolu Agency (AA).
Referendumi simbolik për pavarësinë e Baskisë, rreth së cilës ka punuar nga qershori i vitit të kaluar, ishte e OJQ-së "Gure Esku Dago", ndërkaq votuesit u përgjigjën në pyetjen nëse duan të jenë qytetarë të shtetit të pavarur të Baskisë.
Institucionet zyrtare të qeverisë autonome baske mbështetën iniciativën, dhe megjithëse ishte një akt simbolik, gati 40 për qind e votuesve të regjistruar dolën në referendum.
Organizatorët thonë se qëllimi i referendumit simbolik është të rritet vetëdija për të drejtën e vetëvendosjes për qeverisje në të ardhmen.
Në deklaratë thuhet se një referendum i ngjashëm simbolik në qershor të vitit të kaluar u mbajt në gjithsej 167 komuna të Baskisë dhe Navarras dhe se votuan më shumë se 155 mijë qytetarë.
Sondazhet e fundit hulumtuese sugjerojnë se përfundimi i luftës dhe çarmatosja e organizatës separatiste ETA janë ndjekur nga një përqindje gjithnjë në rënie të popullsisë baske që dëshiron shkëputjen nga Spanja.
Sipas një sondazhi të zhvilluar nga Universiteti i Baskisë dhe Qendra Kërkimore Deustobarometro, 60 për qind e popullsisë baske deklarohen kundër idesë së pavarësisë të Baskisë ndërsa 16.9 për qind e qytetarëve janë për idenë e pavarësisë.
Nga ana tjetër, mbrëmë janë mbajtur demonstrata masive në qytetin Bilbao të Baskisë, në të cilat demonstruesit kërkuan lirimin e krerëve të Katalonjës, të cilët janë përgjegjës për mbajtjen e referendumit të fundit antikushtetues dhe shpalljes së njëanshme të pavarësisë.