Şenhan Bolelli
23 Prill 2020•Përditësim: 23 Prill 2020
Me 440 vdekje të reja në 24 orët e fundit në Spanjë është rritur në 22.157 numri i vdekjeve nga koronavirusi i ri (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas përditësimit nga Ministria e Shëndetësisë së Spanjës lidhur me numrin e vdekjeve dhe të rasteve lidhur me pandeminë COVID-19 në vend, me 440 vdekje të reja në 24 orët e fundit në Spanjë numri i vdekjeve është rritur në 22.157, ndërsa me 4.635 rastet e reja është rritur në 213.024 numri gjithsej i rasteve.
Ndërkohë ka tërhequr vëmendjen se në 24 orët e fundit me 1.202 raste të reja ka arritur në 34.355 numri gjithsej i të infektuarve me virus në mesin e personelit shëndetësor.
Gjithashtu theksohet se numri i personave që kanë mposhtur COVID-19 ka tejkaluar mbi 88 mijë.
- Madridi njofton 6 mijë vdekje më shumë se ministria e shëndetësisë
Në anën tjetër në Madrid i cili është një prej rajoneve më të prekura nga virusi në Spanjë, numri i vdekjeve ka arritur në 7.684 dhe numri i rasteve në 59.199.
Administrata autonome e Madridit e cila duke marrë për bazë regjistrimet e morteve dhe rastet e dyshuara, ka njoftuar shifra shumë më të larta nga të dhënat e ministrisë së shëndetësisë. Ajo ka njoftuar se vdekjet me burim nga COVID-19 kanë tejkaluar 14 mijë.
Ndërkohë ka krijuar debate pasi qeveria autonome në krahasim me të dhënat e ministrisë ka mbrojtur pretendimet e saj duke deklaruar rreth 6 mijë vdekje më shumë që nga fillimi i pandemisë në Madrid.
Gjithashtu bëhet e ditur se Bashkia e Madridit duke vendosur edhe flamurin e zisë në portën Alcala në qendër të qytetit ka zhvilluar një ceremoni përkujtimore për personat që kanë humbur jetën nga COVID-19.
Ashtu sikurse Madridi edhe administrata autonome e Katalonjës njofton shifra më të larta se ato të ministrisë së shëndetësisë.
Kryeministri Pedro Sanchez dhe zyrtarë të tjerë në Spanjë duke vënë theksin se në regjistrimet zyrtare përfshihen vetëm ata të cilët janë testuar, ata janë shprehur se "numri i vërtetë i të vdekurve nga COVID-19 nuk do të dihet asnjëherë".
Ministri spanjoll i Shëndetësisë, Salvador Illa, në një konferencë për shtyp tha se "Po realizojmë objektivat tona, por po kalojmë përmes një procesi të vështirë. Për këtë arsye kemi zgjatur edhe 15 ditë gjendjen e jashtëzakonshme. Do të përditësojmë sistemin tonë të shëndetësisë pasi të mposhtim këtë sëmundje. Aktualisht jemi të përqendruar plotësisht në luftën kundër pandemisë".
Për shkak të COVID-19 vendi me 14 mars shpalli gjendjen e jashtëzakonshme duke e zgjatur atë deri më 9 maj. Duke filluar që nga e diela e ardhshme fëmijët nën 14 vjeç me kusht që të jenë të shoqëruar do të lejohen për një kohë të shkurtër të dalin në rrugë vetëm në zonën përreth 1 km larg nga shtëpia.