Ömer Erdem
17 Tetor 2022•Përditësim: 18 Tetor 2022
Këpuca tradicionale "merkub", e cila prodhohet me dorë nga lëkura e kafshëve të ndryshme prej shekujsh në Sudan dhe që konsiderohet një nga simbolet në vend, vazhdon të përdoret pavarësisht çmimit të lartë dhe dominimit të produkteve të fabrikuara në treg vitet e fundit.
Në prodhimin e aksesorëve dhe veshjeve prej lëkure, që është e zakonshme në Afrikë, sudanezët në lindje të kontinentit afrikan prodhojnë gjithashtu këpucë të quajtura "merkub" nga lëkura e lopës, dhisë, deleve, gjarprit dhe tigrit.
- Tregues i statusit dhe pasurisë
Merkub, i cili daton shekuj më parë, pranohet edhe si tregues i statusit shoqëror dhe pasurisë. Posedimi i këpucëve me lëkurë tigri dhe leopardi përfaqëson shtresën e pasur, e ndjekur nga lëkura e gjarprit, e krokodilit, e lopës, e deleve dhe e dhisë.

Merkub, i cili shihet si një nga zanatet më të vjetra në Sudan, konsiderohet si një nga elementët e rëndësishëm që pasqyrojnë identitetin sudanez si Jalabiya (veshje për burra), tob (veshje grash) dhe imme (turban), që ka qenë temë e këngëve dhe pothuajse përfaqëson veshjen kombëtare të Sudanit.
Ndërkaq, vitet e fundit interesi për këpucët tradicionale prej lëkure ka shkuar duke u zvogëluar dita-ditës për faktin se produktet e fabrikuara kanë pushtuar tregun dhe çmimet janë më të larta.

"Merkubet" e bëra nga lëkura e viçit dhe gjarprit janë ndër dhuratat e njohura të turistëve dhe sudanezëve që udhëtojnë jashtë vendit. "Merkubet" prej kadifeje me stampa tigri dhe leopardi tërheqin gjithashtu vëmendjen e vendasve dhe turistëve.
- Pjesë e pandashme e kulturës sudaneze
Përveçse janë të lehta, të rehatshme dhe të qëndrueshme, "merkubet" preferohen veçanërisht nga sudanezët që duan të mbajnë gjallë traditat dhe kulturën e tyre.
Thuhet se "merkubet" e lëkurës së tigrit janë të qëndrueshme për 20-25 vjet.

Mijëra njerëz fitojnë kafshatën e gojës me këtë zanat në rajonin e Darfurit në perëndim të vendit, i cili konsiderohet qendra e prodhimit të "merkubeve".
Sudanezët veshin "merkub" me veshjet e tyre tradicionale, jalabiye dhe imme, veçanërisht në festa dhe raste të veçanta. Dhëndrit i vishen "merkub" me model lëkure tigri për ta dalluar nga të tjerët në dasmë.
Në tregun e lëkurës në rajonin Abu Zeyd të Umdurman, afro 70 punishte po përpiqen të mbajnë gjallë këtë traditë të lashtë.

Mjeshtri i "merkubit", Muhammed Hamid për Anadolu Agency (AA) tha se la pas 45 vite në këtë profesion.
"Ne prodhojmë këpucë për burra dhe gra, çizme, këpucë lokale, këpucë policie dhe ushtarake dhe këpucë speciale për diabetikët. Në të kaluarën, këpucët prodhoheshin nga lëkura e tigrit dhe leopardit, por tani ne bëjmë vetëm këpucë nga lëkura e lopës, lëkura e deleve dhe gjarpërinjve pasi është e ndaluar", tha Hamid.
Duke theksuar se lëkurat i blenë nga punishtja e lëkurës në Omdurman, Hamid tha: "Zakonisht, njerëzit i blejnë ato si dhurata dhe tregtarët i blejnë. Çmimet janë nga 4 dollarë deri në 30 dollarë. Këpucët e bëra nga lëkura e gjarprit dhe e dhisë preferohen më së shumti".
Një nga tregtarët e pazarit libian, Ali Muhammed, deklaroi se ka 22 vjet që prodhon "merkube" dhe se kërkesa është ulur në krahasim me të kaluarën, por sudanezët që duan të mbajnë gjallë traditat e tyre vazhdojnë t'i blejnë këto këpucë.