Esat Fırat
22 Tetor 2020•Përditësim: 22 Tetor 2020
Sudani ka marrë vendim për normalizimin e marrëdhënive me Izraelin pas bisedimeve të zhvilluara me ndërmjetësimin e SHBA-së, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në artikullin e gazetës "Israel Hayom" e cila njihet për afërsinë me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, thuhet se në procesin e marrëveshjeve të normalizimit të marrëdhënieve që Izraeli ka zhvilluar me Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) dhe Bahreinin është përfshirë edhe Sudani.
Më tej thuhet se qeveria e Khartoumit ka marrë vendim për normalizimin e marrëdhënieve me Tel Avivin pas bisedimeve që vazhduan mes Sudanit dhe SHBA-së.
Pas cilësimit të këtij vendimi si një "hap historik" në artikull theksohet se edhe SHBA si një pjesë e këtij hapi do të heqë Sudanin nga "lista e vendeve që mbështesin terrorizmin".
Ndërsa sipas faqes së lajmeve Walla të Izraelit, vihet në dukje se një avion 'xhet' privat i Izraelit udhëtoi dje në mënyrë direkte në Khartoum. Kjo situatë është lidhur me kontaktet që vazhdojnë me ndërmjetësimin e SHBA-së për përfundimin e marrëveshjes së normalizimit mes Tel Avivit dhe Khartoumit.
Sekretari i Shtetit të SHBA-së, Mike Pompeo dje njoftoi se kanë filluar procedurat për heqjen e Sudanit nga lista e vendeve që mbështesin terrorizmin pasi është paguar shuma prej 335 milionë dollarë që viktimat dhe familjet amerikane të dëmtuara nga terrorizmi kishin kërkuar nga qeveria e Washingtonit.
"Arritja e këtij rezultati përfundimtar është i lidhur edhe me procesin e normalizimit me Izraelin", tha Pompeo duke shtuar se shpresonte që procesi i normalizmit të bëhet në mënyrë të shpejtë nga qeveria e Khartoumit.
"Duam që qeveria e Sudanit të njohë Izraelin dhe të zhvillojë marrëdhëniet. Po punojmë me zell me ata për të vënë theksin se pse është në interes të qeverisë sudaneze të marrë këtë vendim të pavarur", tha Pompeo.
Procesi serioz i kontaktit të zhvilluar në prapaskenë prej një kohe të gjatë mes Izraelit dhe vendeve të Gjirit kryesisht EBA-së, u bë publike kur presidenti amerikan Donald Trump deklaroi arritjen e marrëveshjes mes Izraelit dhe EBA-së më 13 gusht dhe me Bahreinin më 11 shtator.
Në një ceremoni zyrtare të mbajtur më 15 shtator në Shtëpinë e Bardhë u nënshkruan marrëveshje për "normalizimin e marrëdhënieve" mes Izraelit, EBA-së dhe Bahreinit.
Sipas shtypit dhe ekspertëve izraelitë, në procesin e normalizimit me Izraelin krahas Omanit dhe Arabisë Saudite ishte radhitur edhe Sudani.
Ndërkohë lidhur me këtë vendim të Sudanit ende nuk është bërë ndonjë deklaratë zyrtare nga qeveritë e Khartoumit dhe Tel Avivit.