Nilay Kar
31 Janar 2019•Përditësim: 31 Janar 2019
KUALA LUMPUR (AA) - Sportisti i pasionuar Abdullah Sultan Ahmad Shah është emëruar si Mbreti i 16-të i Malajzisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Sulltani i shtetit federal Pahang, Abdullah dha betimin solemn në pallatin në Kuala Lumpur dhe zyrtarisht mori kurorën e monarkisë së Malajzisë.
Ceremonia në Kuala Lumpur u ndoq nga udhëheqësit e shtetit, me në krye kryeministrin e Malajzisë, Mahathir Muhamedit.
Krerët e nëntë shteteve federale malajziane kanë zgjedhur më parë Sulltanin Abdullah si mbret për 5 vitet e ardhshme.
Mbreti i ri malajzian është një sportist i pasionuar dhe anëtar i Federatës Botërore të Futbollit (FIFA).
Mbreti i mëparshëm malajzian Muhammed V abdikoi kohët e fundit nga funksioni dhe u bë monarku i parë i vendit që ka bërë një gjë të tillë. Sipas pretendimve abdikimi i tij u parapri nga martesa e tij me ish "Miss Rusia", Oksana Voyevodin ndërsa disa media raportojnë se ai tashmë është divorcuar.
Malajzia është një monarki parlamentare që nga fitimi i pavarësisë nga Britania e Madhe në vitin 1957. Shteti ndahet në 9 shtete federale, udhëheqësit e të cilëve ndërrohen në çdo 5 vite edhe në fronin e Malajzisë.
Pushteti legjislativ dhe ekzekutiv në Malajzi është në duart e parlamentit dhe qeverisë së vendit ndërsa mbreti është titulli simbolik, por ka statusin e ruajtësit të traditës dhe Islamit në mesin e popullatës muslimane malaje.