Ali Cura
30 Maj 2023•Përditësim: 31 Maj 2023
Në kryeqytetin e Rusisë, Moskë dhe në vendbanimet përreth saj u kryen sulme me mjete ajrore pa pilot (dronë), transmeton Anadolu.
Kryetari i Bashkisë së Moskës, Sergey Sobyanin në një deklaratë nga llogaria e tij në median sociale, njoftoi se në disa ndërtesa ka patur dëme të vogla si pasojë e sulmeve me dronë të ndërmarrë në orët e para të mëngjesit.
"Aktualisht askush nuk është plagosur rëndë. Ju lutem të besoni vetëm burimet zyrtare dhe të mos përhapni informacione të pakonfirmuara", deklaroi Sobyanin duke ndarë informacionin se punonjësit e situatës emergjente të qytetit janë në vendin e ngjarjes dhe se është bërë vlerësimi i situatës.
Guvernatori i Moskës, Andrey Vorobyov në një deklaratë nga llogaria e tij në median sociale, bëri të ditur se shpërthimet e dëgjuara në disa rajone u përkasin sistemeve të mbrojtjes ajrore.
"Janë rrëzuar disa dronë teksa i afroheshin Moskës. I lutem popullit të jetë i qetë. Të gjithë punonjësit e shërbimit të emergjencës po punojnë. Do të bëjmë informime", ka thënë Vorobyov.
Agjencitë ruse të lajmeve kanë njoftuar se mjetet ajrore pa pilot (dronët) kanë goditur ndërtesat që ndodhen në dy bulevarde të ndryshme brenda Moskës. Në ndërtesat që janë goditur nga dronët kanë pësuar dëme në fasadën e jashtme dhe se nuk ka të vdekur ose të plagosur.
- Ukraina kreu “sulm terrorist” në Moskë
Në një deklaratë në lidhje me sulmet me dronë në Moskë, ministria e Mbrojtjes e Rusisë theksoi se "regjimi i Kievit në mëngjes kreu një sulm terrorist me dronë ndaj objekteve në Moskë".
Në deklaratë thuhet se në sulm kanë marrë pjesë 8 mjete ajrore pa pilot dhe se janë shkatërruar të gjitha. Duke theksuar se 3 dronë u devijuan nga objektivat e tyre dhe humbën kontrollin, në deklaratë shtohet se "5 dronë u goditën me sistemin raketor të mbrojtjes ajrore Pantsir-S në rajonin e Moskës".
Në burimet e disa mediave sociale, pretendohet se në qytet janë kryer sulme me 25 dronë, se shumica e tyre janë goditur nga sistemet e mbrojtjes ajrore. Gjithashtu theksohet se disa dronë kanë qenë të armatosur.
Në median sociale janë pasqyruar disa pamje të dronëve që fluturojnë dhe goditen në rajonin e Moskës.