Yusuf Özcan
14 Qershor 2021•Përditësim: 15 Qershor 2021
Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka bërë të ditur se ai i tha "shumë qartë" presidentit turk, Recep Tayyip Erdoğan, se "politika e Francës nuk është të sulmojë ndonjë fe", raporton Anadolu Agency (AA).
Duke folur në një konferencë për media pas takimit me presidentin Erdoğan, presidenti Macron tha se, "Në Francë disa miliona bashkëqytetarë tanë besojnë në Islam, e praktikojnë atë çdo ditë. Ajo nuk është puna e shtetit".
Macron shtoi se "thjesht ajo që kërkohet prej tyre" është "të respektojnë absolutisht ligjet dhe rregullat e Republikës".
"Qeveria e Francës, e kombit francez, po lufton nga njëra anë kundër të gjitha formave të terrorizmit, përfshirë terrorizmin islamik. Dhe, nga ana tjetër, në fakt (kemi) forcuar politikën tonë të luftës kundër grupeve ekstremiste që përdorin dhe deformojnë fenë për të nxjerrë disa nga bashkëqytetarët tanë nga Republika dhe respektimi i këtyre ligjeve", tha Macron.
Macron ka tërhequr kritika nga muslimanët në të gjithë botën pas komenteve të tij të diskutueshme mbi Islamin. Vitin e kaluar, më 2 tetor, Macron njoftoi një plan të diskutueshëm për të trajtuar atë që ai e quan "separatizëm islamik" në Francë, duke pretenduar se besimi në Islam është në "krizë" në të gjithë botën dhe duke premtuar se do të "çlirojë Islamin në Francë nga ndikimet e huaja".
Ai më vonë mbrojti karikaturat blasfemuese të profetit Muhammad, duke theksuar se Franca "nuk do të heq dorë nga karikaturat tona", menjëherë pas vrasjes brutale të mësuesit të shkollës së mesme, Samuel Paty, i cili shfaqi karikaturat provokuese në një orë mësimore. Qëndrimi i presidentit francez ka çuar në dënime ndërkombëtare, protesta dhe thirrje për të bojkotuar produktet e prodhuara nga Franca, përfshirë nga presidenti turk, Erdoğan.
Në konferencën për media, Macron po ashtu tha se ai dhe presidenti Erdoğan në takim diskutuan situatën në Siri dhe Libi, takim për të cilin ai tha se ishte në një "atmosferë paqësore".
Ai theksoi se Turqia dhe Franca ranë dakord të punojnë në tërheqjen e mercenarëve të huaj në Libi.
"Ne kemi gjetur pika të qartë të konvergjencës për të ruajtur armëpushimin, për të mbajtur objektivat e zgjedhjeve deri më 24 dhjetor dhe për të punuar së bashku për të tërhequr fillimisht luftëtarët e huaj dhe mercenarët", tha Macron, duke përmendur një "hap të rëndësishëm përpara".
"Atmosfera e këtij takimi ishte paqësore dhe pa ndonjë apologji të formuluar apo edhe që ndonjë apologji mund të kërkohej nga të dyja palët, kishte një dëshirë të qartë për të ri-angazhuar punën", shtoi ai.