Sayed Khodaberdi Sadat
13 Qershor 2019•Përditësim: 13 Qershor 2019
Shefi Ekzekutiv i Afganistanit, Dr. Abdullah Abdullah, tha se talebanët nuk dëshirojnë që bisedimet e paqes të arrijnë në një rezultat, raporton Anadolu Agency (AA).
Abdullah foli në një ceremoni të organizuar në kryeqytetin Kabul, duke theksuar se talebanët nuk janë për të siguruar stabilitet në Afganistan.
Ai më tej duke bërë të ditur se talebanët në Afganistan planifikojnë që sërish ta marrin kontrollin në qeveri, tha se për këtë shkak organizata nuk ka vullnet për të bërë paqe.
"Për paqe tani janë krijuar mundësi shumë të mira, por talebanët ende janë pas arsyetimeve", u shpreh ai.
- Procesi i bisedimeve për paqe në Afganistan
Talebanët, një kërcënim i madh për qeverinë e drejtuar nga presidenti afgan Eshref Gani, ende ruajnë dominimin e tyre në shumë rajone të vendit. Disa rajone të këtij vendi që janë nën kontrollin e talebanëve, ballafaqohen me probleme serioze të sigurisë.
Ende nuk është arritur në një rezultat pavarësisht se qeveria në vitet e kaluara në mënyrë të përsëritur ka treguar përpjekje për të zhvilluar bisedime për paqen me talebanët dhe ka formuar Këshill të Paqes.
Në periudhën e ish-presidentit të Afganistanit, Hamid Karzai, kontaktet mes administratës afgane dhe talebanëve planifikohej të zhvilloheshin në qershor të vitit 2013 në kryeqytetin e Katarit, Doha. Por talebanët në zyrën ku pritej të zhvilloheshin takimet kishin vendosur tabelën dhe të ashtuquajturin flamur të "Emiratit Islam të Afganistanit", pas së cilës qeveria afgane u tërhoq nga negociatat.
Zyra u mbyll pas një muaji, ndërsa negociatat e paqes u pezulluan.