Emre Karaca
01 Tetor 2019•Përditësim: 03 Tetor 2019
Në Rajonin Special Administrativ të Hong Kongut kanë ndodhur tensione mes dy grupeve gjatë marshimit në kuadër të përvjetorit të 70-të të themelimit të Republikës Popullore të Kinës, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas lajmeve në mediat e vendit, gjatë marshimeve të organizuara me rastin e 70-vjetorit të themelimit të Republikës Popullore të Kinës më 1 tetor 1949, ndodhi përleshje mes dy grupeve, gjegjësisht pro qeverisë së Pekinit dhe atyre kundër qeverisë.
Policia për t'i shpërndarë protestuesit përdori gaz lotsjellës, ndërsa dy protestues pro-Pekin janë arrestuar.
Protestat kundër qeverisë kineze kanë vazhduar edhe gjatë ditës, ku mijëra persona të veshur me të zezë kanë marshuar pavarësisht ndalesës dhe kanë brohoritur me slogane kundër qeverisë kineze.
Protestuesit të cilët kanë protestuar kundër qeverisë kineze në vendet e ndryshme të qytetit, bënë thirrje që 1 tetori të shpallet si "ditë zie".
- Protestat në Kinë
Hong Kongu u bë skenë protestash të paprecedentë që nga fillimi i qershorit kundër masës së qeverisë lokale për të legalizuar ekstradimin në Kinë.
Projektligji që parashikonte ekstradimin në Kinë, rajonin special Macao dhe në Tajvan të personave që janë të dënuar ose ndaj të cilëve ka pretendime akuzuese në Hong Kong, u paraqit në parlament më 3 prill.
Pavarësisht se projektligji përjashton krimet politike, në Hong Kongun me popullsi prej 7,4 milionë banorësh, shumica e popullatës ndante shqetësimin se njerëzit do t'i nënshtrohen paraburgimit arbitrar, proceseve të padrejta gjyqësore dhe madje edhe torturave nën sistemin gjyqësor të Kinës.
Opozitarët kanë shprehur shqetësime se nëse ligji miratohet, ai do të rezultojë që Kina të vendosë në shënjestër opozitarët politikë në Hong Kong.
Protestat më vonë vazhduan pavarësisht se shefja ekzekutive e Hong Kongut, Carrie Lam, kishte njoftuar tërheqjen e projektligjit më 4 shtator.
Hong Kongu është rajon autonom i Kinës nën formulën "Një vend, dy sisteme" që nga 1 korriku i vitit 1997, kur Britania ia dorëzoi ish-koloninë e saj Pekinit.