Ekip
09 Mars 2018•Përditësim: 09 Mars 2018
DJIBOUTI (AA) – Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, është shprehur se për shkak të ndryshimit dramatik dhe befasues të qëndrimit të Kim Jong Un, presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, pranoi të takohet me liderin e Koresë së Veriut, transmeton Anadolu Agency (AA).
Tillerson theksoi se SHBA-të janë të befasuara se si Kim ka zhvilluar bisedimet me delegacionin jugkorean. Ai të premten tha se ky është indikacioni më i fuqishëm se takimi me Kim “nuk është vetëm vullnet, por vërtetë dëshirë e tij për bisedime”.
Tillerson shtoi se Trump “në mënyrë të pavarur” ka vendosur pasi vlerësoi se është koha e duhur për bisedime, por jo edhe negociata zyrtare.
Megjithatë, Tillerson gjatë vizitës në Djibouti theksoi se do të nevojiten “disa javë” për të organizuar takimin dhe caktuar datën.