Fatjon Cuka
03 Maj 2017•Përditësim: 04 Maj 2017
TIRANË (AA) - Instituti i Statistikave i Republikës së Shqipërisë (INSTAT) në bashkëpunim me Qeverinë e Suedisë ka organizuar sot në Tiranë konferencën me temë “Të transformojmë statistikat në njohuri dhe vendimmarrje", ku si fokus ishin statistikat në institucione të nivelit të ndryshëm, raporton Anadolu Agency(AA).
Duke folur në hapje të konferencës, drejtoresha e Përgjithshme e INSTAT-it, Delina Ibrahimaj, u shpreh se ky aktivitet ka si qëllim kryesor të vendosë përballë përdoruesit me prodhuesit e statistikave zyrtare dhe sipas saj të jetë një shtysë për t’i transformuar realisht statistikat në elementin bazë për ndërtimin e politikave zhvilluese në Shqipëri.
"Vendimmarrja e bazuar në shifra duhet të jetë objektiv dhe detyrë e çdo individi, institucioni, politikani, biznesmeni dhe çdo vendimmarrësi tjetër në shoqërinë shqiptare. Misioni i INSTAT-it për të prodhuar statistika transparente, të besueshme e koherente nuk mund të përmbushet nëse ato nuk përdoren për të ndërtuar strategji zhvillimi, për të përmirësuar jetën e qytetarëve shqiptarë. Sado statistika të mira të prodhojmë, të besueshme, të shtrira në kohë ato vlerën e tyre e marrin realisht kur përdoren për qëllimin të cilin janë mbledhur.", theksoi Ibrahimaj.
Sipas saj, statistikat janë ura e cila duhet të lidhë botën akademike dhe analistët me institucionet dhe politikbërësit apo çdo grupi interesi, me qëllim që të influencojë në vendimmarrjen e drejtë të tyre.
Në konferencë kanë prezantuar tema të ndryshme, përfaqësues të disa ministrive në vend, pedagogë të Fakultetit të Ekonomisë në Universitetin e Tiranës, studiues, etj.