Gizem Nisa Çebi Demir
09 tetor 2026•Përditësim: 09 tetor 2026
STAMBOLL (AA) - Presidenti i SHBA-së, Donald Trump bleu obligacione të SpaceX-it me vlerë nga 1 milion deri në 5 milionë dollarë, dy ditë para nënshkrimit të një politike të re hapësinore, raportoi të enjten gazeta "The Washington Post", duke iu referuar deklarimit të tij të fundit financiar, transmeton Anadolu.
Politika e gushtit 2026 synon të forcojë industrinë amerikane të transportit hapësinor dhe të mundësojë më shumë se 1.000 lëshime dhe rikthime në Tokë çdo vit deri në vitin 2030. SpaceX, e drejtuar nga aleati i Trumpit, Elon Musk, emetoi obligacione këtë verë për të financuar shpenzimet për qendrat e të dhënave të inteligjencës artificiale, rrjetin satelitor Starlink dhe anijen kozmike Starship.
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Davis Ingle mohoi ekzistencën e konfliktit të interesit, duke thënë se portofoli i investimeve të Trumpit “menaxhohet në mënyrë të pavarur” nga institucione financiare të palëve të treta.
“As presidenti Trump dhe as ndonjë anëtar i familjes së tij nuk kanë mundësi të drejtojnë, ndikojnë apo japin udhëzime lidhur me mënyrën se si investohet portofoli ose kohën kur blihen apo shiten investimet”, tha ai.
Megjithatë, Ingle nuk sqaroi nëse blerja e obligacioneve të SpaceX-it ishte autorizuar posaçërisht nga një algoritëm apo nga një menaxher i pavarur. Një këshilltar financiar i cituar nga gazeta tha se blerja e obligacioneve individuale për të ndjekur një indeks do të ishte e pazakontë.
Të enjten, Trump i dorëzoi Muskut Medaljen Kombëtare të Shkencës, duke e quajtur atë “Thomas Edisonin e kohëve moderne”. “Je miku im dhe të gjitha këto, por je një njeri shumë, shumë i veçantë”, shtoi ai.