Beyza Binnur Dönmez
02 Tetor 2020•Përditësim: 02 Tetor 2020
I sulmuar disa ditë me kritika, presidenti i SHBA-ve, Donald Trump hoqi dorë nga refuzimi i tij për të denoncuar supremacistët e bardhë, por gjithashtu nxiti rivalin e tij demokrat Joe Biden që edhe ai të kundërshtojë ekstremistët majtistë, grupin anti-fashist "Antifa", transmeton Anadolu Agency (AA).
"Unë them dhe e kam thënë këtë shumë herë, më lejoni të jem i qartë përsëri: Unë dënoj KKK (Ku Klux Klan), dënoj të gjithë supremacistët e bardhë, dënoj 'Djemtë Krenarë' (Proud Boys). Nuk di shumë rreth 'Djemve Krenarë', pothuajse asgjë, por unë i dënoj ata", tha Trump për "Fox News" të enjten vonë, disa orë para se ai dhe zonja e parë Melania Trump të njoftonin se kishin rezultuar pozitiv me koronavirus.
"Djemtë Krenarë" janë një grup neofashist i ekstremit të djathtë.
Trump shtoi duke prekur një nga pikat e tij më të preferuara të bisedës: "Por, ai (Biden) duhet të dënojë gjithashtu 'Antifa'-n. 'Antifa' është një grup i tmerrshëm njerëzish, ata vrasin njerëz. Ata po shkaktojnë kryengritje, trazira. Ai nuk do ta bëj këtë, por edhe shtypi nuk do t'i vihet pas", shtoi ai.
FBI dhe agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit federal dhe të inteligjencës kanë thënë se grupet e krahut të djathtë në SHBA janë përgjegjëse për shumicën e dhunës politike.
Për vite, duke filluar që nga demonstrata e krahut të djathtë në vitin 2017 në Charlottesville të Virginias, ku mbeti e vrarë një kundër-protestuese femër, Trump është kritikuar për dyshime në temën e grupeve të dhunshme raciste të krahut të djathtë dhe madje duke i lavdëruar ata si "njerëz të mirë".
Gjatë debatit të parë presidencial të martën, kur u pyet për të dënuar supremacistët e bardhë, Trump tha: "Kë do të dëshironit që unë të dënoja?" dhe Biden sugjeroi "Djemtë Krenarë".
"Djem Krenarë - tërhiquni dhe qëndroni të gatshëm", tha Trump, në vërejtjet, për të cilët kritikët thanë se kjo ishte ftesë e hapur për dhunë rreth zgjedhjeve të 3 nëntorit.
Ai shtoi: “Por, do t'ju tregoj se çfarë. Unë do t'ju tregoj se çfarë. Dikush duhet të bëjë diçka në lidhje me 'Antifa'-n dhe të majtën sepse ky nuk është një problem i krahut të djathtë".
Vërejtjet hasën në kritikat e të gjithë spektrit politik si nga demokratët ashtu edhe nga republikanët dhe u theksua se rrezikonin shanset që Trump të fitojë mandatin e dytë.