Hassan Isilow
30 Tetor 2017•Përditësim: 31 Tetor 2017
PRETORIA (AA) - Turqia i kushton rëndësi të madhe Afrikës së Jugut dhe është e përkushtuar të forcojë marrëdhëniet me këtë vend në të gjithë sektorët, tha Ambasadorja e Turqisë në Afrikën e Jugut, Elif Çomoğlu Ülgen, raporton Anadolu Agency (AA).
"Ne e konsiderojmë Republikën e Afrikës së Jugut si një vend strategjikisht të rëndësishëm në marrëdhëniet shumëpalëshe të Turqisë me të gjitha vendet e rajonit dhe vendet e Afrikës sub-Sahariane", tha Ülgen në një ceremoni me rastin e 94-vjetorit të shpalljes së Republikës së Turqisë.
"Turqia është e përcaktuar të investojë shumë në Afrikë dhe veçanërisht në Afrikën e Jugut", shtoi ajo.
Ülgen tha se inaugurimet e fundit të projekteve të institutit Junus Emre në Johanesburg dhe vendosja e zyrës së Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) janë shembuj të përkushtimit të Turqisë.
Ülgen theksoi se Turqia është e përcaktuar ta rrisë vëllimin tregtar me Afrikën e Jugut, partnerin e saj më të madh tregtar në Afrikën sub-Sahariane. Ajo njoftoi se aktualisht, tregtia e tyre e ndërsjellë arrin në 1,5 miliardë dollarë.
"Sipërmarrësit turq janë shumë të inkurajuar që të hulumtojnë tutje tregun e Afrikës së Jugut", shtoi ajo.
Nga ana tjetër, ministri i Drejtësisë i Afrikës së Jugut, Michael Masutha, tha se vendi i tij i kushton rëndësi të madhe marrëdhënieve me Turqinë.
Ai tha se të dy shtetet duhet të punojnë në rritjen e tregtisë, ashtu siç është rënë dakord gjatë një komisioni të përbashkët ekonomik të mbajtur së fundmi midis Turqisë dhe Afrikës së Jugut.
Masutha po ashtu potencoi se Turqia ka bërë përpjekje të mëdha për mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, të cilat tani kontribuojnë në prodhimin e brendshëm bruto të vendit.