Talha Yavuz,Jeyhun Aliyev
29 Janar 2022•Përditësim: 30 Janar 2022
TALHA YAVUZ/CEYHUN ALİYEV
Turqit Ahiska që jetojnë në rajonin Donbas në lindje të Ukrainës, urojnë që presidenti Recep Tayyip Erdoğan të jetë ndërmjetësues në krizën Ukrainë-Rusi dhe të sjellë paqe në rajon.
Një pjesë e turqve Ahiska që u dëbuan në Azinë e Mesme në vitin 1944 nga Josef Stalin u vendosën në Ukrainë në vitin 1989. Për shkak të konflikteve që filluan në rajon në vitin 2014 mes ushtrisë së Ukrainës dhe separatistëve pro-rusë në rajon, shumica e tyre u vendosën në rajonin Erzincan të Turqisë me iniciativë të presidentit Erdoğan.
Turqit Ahiska që jetojnë në rajonin Donbas u prononcuan për Anadolu Agency (AA) lidhur me procesin dhe pritshmëritë e tyre.
Sadri Ahmedov, kreu i shoqatës së turqve Ahiska në rajonin Donetsk tha se për shkak të konflikteve në vitin 2014 disa prej tyre u detyruan të largohen nga rajoni dhe se nuk kanë përjetuar humbje jete edhe pse kanë përjetuar humbje të pronës.
Në fjalën e tij, Ahmedov rikujtoi se kanë kaluar ditë të vështira në periudhën kur separatistët pro-rusë u tërhoqën në qershor 2014. "Ka pasur ditë ku nuk mund të gjenim as ushqim. Marketet nuk punonin, në stacionet e autobusëve nuk kishte njerëz. Çdo vend ishte i heshtur, nuk kishte njerëz. Për fat të mirë i kemi kapërcyer ato ditë dhe falënderojmë Zotin që jetojmë në mënyrë normale", u shpreh Ahmedov.
Ai vuri në dukje se në rajon jetojnë rreth 150-200 turq Ahiska. "Thonë se disa fatkeqësi sjellin të mira, ku dhe lufta në vitin 2014 hapi rrugën e kthimit tonë në mëmëdheun tonë", tha Ahmedov.
Duke theksuar se 677 familje shkuan në Erzincan dhe se vazhdon procesi për 46 prej tyre, Ahmedov tha: "Urojmë që Erdoğan të bashkojë presidentët e dy shteteve dhe të mos ketë luftë dhe të përfundojë me miqësi".
Ahmedov tërhoqi vëmendjen se kanë marrëdhënie shumë të mira me popullin e Ukrainës dhe janë si vëllezër. Ai shpjegoi se populli i rajonit u mërzit kur ata u larguan nga rajoni në vitin 2014.
"Kjo luftë nuk i duhet askujt"
Një banor tjetër i zonës turke Ahiska, İskender Osmanov rikujtoi se në vitin 2014 kur filluan konfliktet në rajon ranë bomba dhe se gjatë kësaj janë larguar nëpër bunkerë.
"Jetoj këtu prej 32 vitesh dhe populli vendas na ka pranuar. Kjo luftë nuk i duhet askujt, nuk dua të ketë luftë në asnjë vend", tha ai.
Osmanov theksoi se shpreson që presidenti Erdoğan të ndërmjetësojë mes dy qeverive.