Fatma Esma Arslan
20 janar 2022•Përditësim: 20 janar 2022
Presidenti Assimi Goita, i cili mori pushtetin pas grushtit të shtetit në Mali ka zhvilluar bisedë telefonike me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, transmeton Anadolu Agency (AA).
Goita në një deklaratë në llogarinë e tij në Twitter tha se në një telefonatë "të gjatë" me Guterresin, ai përcolli vendosmërinë e tij për t'u rikthyer në rendin kushtetues në Mali.
Administrata e juntës, e cila erdhi në pushtet në Mali me një grusht shteti më 24 maj 2021, më 2 janar njoftoi se kishte vendosur të shtynte zgjedhjet demokratike për 5 vjet.
Komuniteti Ekonomik i Shteteve të Afrikës Perëndimore (ECOWAS) i cili ka ushtruar presion mbi qeverinë ushtarake për të përcaktuar një kalendar zgjedhor, më 9 janar pas vendimit të juntës mbajti një takim të jashtëzakonshëm në kryeqytetin e Ganës, Akra.
Në samit u vendos që vendet e ECOWAS-it duhet të tërheqin ambasadorët e tyre në Bamako, të ngrijnë asetet e Malit në Bankën Qendrore të Shteteve të Afrikës Perëndimore, të ndalojnë ndihmën ekonomike, të pezullojnë të gjitha marrëdhëniet tregtare me Malin, përveç nevojave themelore dhe furnizimeve mjekësore dhe të mbyllin kufijtë e vendeve të ECOWAS-it me Malin.
Franca, e cila ka qenë në krizë me Malin për një kohë, më 12 janar paraqiti një deklaratë në mbështetje të sanksioneve të ECOWAS-it ndaj Malit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
Deklarata, e cila parashikonte që KS e OKB-së të mbështeste sanksionet u bllokua nga Kina dhe Rusia.