Ömer Koparan,Adham Kako
28 Dhjetor 2018•Përditësim: 30 Dhjetor 2018
AZEZ (AA) - Ushtria e Lirë Siriane (ULS) dërgoi përforcime të reja ushtarake në zonën e operacionit "Mburoja e Eufratit" dhe në vijën e frontit të Munbixhit në veri të Sirisë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Pas raportimeve se forcat e regjimit të Bashar al-Asadit janë vendosur në rajonin kyç të veriut, Divizioni Hamza, pjesëtar i ULS-së së mbështetur nga Turqia, dërgoi luftëtarë dhe automjete të blinduara në vijën kufitare të Mubixhit, njoftoi në një deklaratë Ushtria Kombëtare Siriane, komponent i ULS-së.
Trupat do të kenë detyra të rëndësishme gjatë operacionit ushtarak të planifikuar të Turqisë në qytetin verior Munbixh.
Ushtria Kombëtare e ULS-së tha se ajo "është plotësisht e gatshme të çlirojë Munbixhin me thirrjen e popullit të tij", thuhet në deklaratë.
Ndryshe, organizata terroriste YPG/PKK më herët gjatë ditës tha se është tërhequr nga Munbixhi dhe i bëri thirrje regjimit të Asadit të hyjë në qytet. Pas kësaj, ushtria e regjimit të Asadit pohoi se kanë hyrë në qytet.
Ndërkohë, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, sot në një prononcim për mediat në Stamboll, tha se regjimi i Asadit aktualisht është duke zhvilluar një "operacion psikologjik" në lidhje me Munbixhin.
"Ne jemi kundër ndarjes së Sirisë. Qëllimi ynë është që grupet terroriste të largohen. Nëse grupet largohen, atëherë nuk mbetet punë për ne", shtoi presidenti turk.
Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan ka sinjalizuar se një operacionn ndërkufitar kundër organizatës terroriste PYD/YPG në Siri do të ndodhë së shpejti. Që nga viti 2016, Ankaraja ka kryer dy operacione të ngjashme ushtarake në Sirinë veriore.
Presidenti amerikan Donald Trump javën e kaluar njoftoi papritur tërheqjen e forcave nga Siria. Vendimi i SHBA-së u pasua nga një bisedë telefonike të Trump me Erdoğan, në të cilën dy liderët ranë dakord mbi nevojën për një koordinim më efektiv rreth Sirisë.