Qais Omar Darwesh Omar
09 Nëntor 2022•Përditësim: 09 Nëntor 2022
Ushtria izraelite vrau një palestinez në Bregun Perëndimor të pushtuar, transmeton Anadolu Agency (AA).
Televizioni zyrtar i Palestinës njoftoi se një burrë vdiq nga plagët e rënda nga zjarri izraelit në kampin e refugjatëve Balata, në lindje të Nablusit.
Banorët vendas thanë se përleshjet shpërthyen kur kolonët izraelitë të ruajtur nga forcat e ushtrisë sulmuan varrin e Jusufit në Nablus, ku ushtarët izraelitë përdorën zjarr dhe gaz lotsjellës.
Gjithashtu thuhet se në zonë pati shkëmbim zjarri midis personave të armatosur palestinezë dhe ushtarëve izraelitë.
Grup i armatosur lokal palestinez, i cili e quan veten "Brigada Balata", bëri të ditur se një nga anëtarët e tij u vra në përleshjet me ushtarët izraelitë.
Shoqata Palestineze e Gjysmëhënës së Kuqe tha se mjekët e saj trajtuan dhjetëra palestinezë në vend, duke përfshirë tre të cilët u qëlluan nga plumba të vërtetë.