Davit Kachkachishvili
11 Dhjetor 2024•Përditësim: 12 Dhjetor 2024
Vazhdojnë në ditën e 13-të protestat pas vendimit të Qeverisë së Gjeorgjisë për të mos vënë në rend dite fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian (BE) deri në fund të vitit 2028, raporton Anadolu.
Pasi kryeministri i Gjeorgjisë, Irakli Kobakhidze njoftoi se ka pezulluar negociatat e anëtarësimit të vendit të tij në BE për 4 vjet, protestat në vend vazhdojnë që nga 28 nëntori.
Përveç demonstratave që vazhdojnë në Batumi, mijëra njerëz u mblodhën sërish në kryeqytetin Tbilisi gjatë natës dhe kundërshtuan sërish vendimin e qeverisë.
Demonstruesit, të cilët mbyllën për trafik rrugën "Shota Rustaveli" para ndërtesës së Parlamentit, kërkuan lirimin e të arrestuarve gjatë demonstratave në Tbilisi.
Ashtu si më parë protestuesit u shpërndanë në mesnatë.
- Zbulohen lëndime te 157 persona të arrestuar
Ombudsmani Levan Ioseliani, duke folur për gjendjen e të arrestuarve, tha se i viziton këto persona në vendet ku mbahen. "225 prej tyre thanë se janë trajtuar në mënyrë të papërshtatshme ndërkaq te 157 persona janë zbuluar lëndime fizike", tha ai.
Presidentja e Gjeorgjisë, Salome Zourabichvili në konferencën për media, akuzoi policinë për dhunë dhe presion ndaj demonstruesve.
Shërbimi i Sigurimit Shtetëror i Gjeorgjisë ka raportuar se përmes akteve të dhunës në demonstratat e vazhdueshme në kryeqytetin Tbilisi, planifikohej të parandalohen zgjedhjet presidenciale që do të mbahen më 14 dhjetor.
Parlamenti Evropian (PE) bëri thirrje të mbahen sërish zgjedhje parlamentare në Gjeorgji më 26 tetor ndërsa opozita dhe aktivistët pro-evropianë dolën në rrugë dhe filluan të organizojnë demonstrata.
Kryeministri Kobakhidze në deklaratën e tij më 28 nëntor, tha se disa politikanë evropianë po ndërhyjnë në punët e brendshme të Gjeorgjisë dhe po shantazhojnë me paratë e BE-së.
"Duke marrë parasysh të gjitha këto, vendosëm që fillimin e negociatave me BE-në të mos e fusim në agjendë deri në fund të vitit 2028", tha ai, duke shtuar se do të vazhdojnë punimet që vendi të bëhet anëtar deri në vitin 2030.