Abdulbesar Ademi
02 shtator 2026•Përditësim: 02 shtator 2026
Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Bosnjë e Hercegovina (BeH), Mali i Zi dhe Kroacia kanë shprehur solidaritet të plotë me Gjermaninë pasi Gjermania fajësoi Rusinë për një tentativë sulmi me dron në Aeroportin e Leipzigut muajin e kaluar dhe njoftoi masa të gjera dhe sanksione kundër Moskës, transmeton Anadolu.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në rrjetet sociale shprehu solidaritet me Gjermaninë, duke e cilësuar incidentin në Aeroportin e Leipzigut si një “akt agresioni rus” kundër Gjermanisë dhe sigurisë së Evropës, si dhe theksoi se Shqipëria qëndron fuqishëm përkrah Gjermanisë, Ukrainës dhe të gjithë aleatëve tanë të NATO-s.
“Një dron që transporton eksplozivë në Aeroportin Leipzig/Halle nuk është një zonë gri. Është një akt agresioni rus kundër Gjermanisë dhe kundër sigurisë së Evropës, siç po e bën të qartë tashmë vetë qeveria gjermane”, tha Rama.
Gjithashtu edhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, përmes rrjeteve sociale dënoi fuqishëm sulmin e pretenduar hibrid rus në Leipzig, duke u shprehur se vendi i tij qëndron në solidaritet të plotë me Gjermaninë, “aleatin tonë të NATO-s dhe partnerin e ngushtë”.
“Sulmet hibride kundër aleatëve tanë janë sulme kundër sigurisë sonë kolektive dhe duhet të përballen me unitet, vendosmëri dhe një përgjigje të qartë. Rusia nuk do të ketë sukses të frikësojë Evropën apo të dobësojë mbështetjen tonë për Ukrainën”, shkroi ai.
Ministria e Punëve të Jashtme e BeH-së, nga ana e saj, shprehu solidaritet të plotë me Gjermaninë, qeverinë dhe popullin e saj pas tentativës së sulmit me dron në Leipzig, duke theksuar se ky incident vjen në mes të një fushate më të gjerë të aktivitetit hibrid rus dhe dezinformimit që synon të minojë sigurinë dhe stabilitetin evropian.
“Bosnja dhe Hercegovina i njeh nga afër pasojat e ndërhyrjes keqdashëse ruse. Evropa duhet të mbetet e bashkuar, të forcojë qëndrueshmërinë e saj dhe t'i përgjigjet me vendosmëri çdo përpjekjeje për destabilizim”, shkroi ministria.
Ministria e Punëve të Jashtme e Malit të Zi po ashtu dënoi fuqishëm "aktin e pamatur dhe keqdashës të Rusisë", i cili sipas saj, përfaqëson një tjetër përpjekje nga Moska për "të minuar sigurinë e aleatëve, për të vënë në provë qëndrueshmërinë tonë dhe për të mbjellë paqëndrueshmëri".
Ndërkaq, Ministria e Punëve të Jashtme e Kroacisë theksoi se dënon fuqimisht këtë “akt të rrezikshëm” dhe tha se “aktivitete të tilla hibride janë një kërcënim në rritje për sigurinë evropiane dhe kërkojnë një përgjigje të vendosur dhe të koordinuar nga BE-ja dhe NATO-ja.
Më herët, Gjermania akuzoi zyrtarisht Rusinë se qëndron pas një tentative për sulm me dron në Aeroportin e Leipzigut më 4 gusht, pasi sipas autoriteteve gjermane, hetimet dhe të dhënat e inteligjencës tregojnë se komploti ishte planifikuar nga shërbimet ruse të inteligjencës dhe ishte zbatuar nga operativë të nivelit të ulët.
Në përgjigje, Gjermania njoftoi një sërë masash kundër Moskës, përfshirë mbylljen e Konsullatës së Përgjithshme Ruse në Bonn dhe ndërprerjen e marrëveshjes për Shtëpinë Ruse në Berlin
Ambasada ruse në Gjermani, nga ana e saj, hodhi poshtë si “të pabazuara, absurde dhe të paarsyeshme” akuzat e Berlinit lidhur këtë çështje, duke theksuar se autoritetet gjermane fajësuan Rusinë pa paraqitur prova.