Beyza Binnur Dönmez
01 Korrik 2020•Përditësim: 01 Korrik 2020
Këshilli Kombëtar Zgjedhor (CNE) i Venezuelës ka njoftuar se zgjedhjet parlamentare do të zhvillohen në dhjetor, me rritjen e numrit të deputetëve në Asamblenë Kombëtare, transmeton Anadolu Agency (AA).
Presidentja e CNE-së, Indira Alfonzo tha se janë miratuar "rregulla të veçanta", paraprakisht të miratuara nga këshilli zgjedhor dhe numri i ulëseve në Asamblenë Kombëtare është rritur nga 167 në 277.
Presidenti venezuelas, Nicolas Maduro përshëndeti vendimin në Twitter duke thënë: "Numri i deputetëve që do të zgjidhen u rrit në 277 dhe u ruajt numri i 87 qarqeve zgjedhore. Lajm i mirë! Le të shkojmë drejt zgjedhjeve parlamentare kushtetuese dhe të detyrueshme!".
Drejtuesi i opozitës Juan Guaido e përshkroi njoftimin si një betejë tjetër kundër "diktaturës".
"Duke luftuar ne do të arrijmë kushte që na lejojnë të shpëtojmë të drejtën e votës dhe ta bëjmë atë një instrument ndryshimi", shkroi Guaido në rrjetet sociale.
"Diktatura nuk do të heqë dorë nga asgjë. Ne duhet të luftojmë së bashku për të pushtuar demokracinë tonë", shtoi ai.
Guaido theksoi se opozita nuk do të "dorëzohet ashtu siç ka bërë në maj 2018", duke iu referuar zgjedhjeve presidenciale të fituara nga Maduro që çuan në një luftë për pushtet në fillim të vitit 2019.
CNE ende nuk e ka njoftuar ditën e zgjedhjeve. Aktualisht, Asambleja Kombëtare drejtohet nga opozita.