Vlora mbetet një qytet që nuk ofron vetëm një destinacion për pushime, por një udhëtim mes historisë, detit dhe natyrës.
Fatjon Cuka
12 shtator 2026•Përditësim: 12 shtator 2026
Vlorë
Transformimi i Vlorës në vitet e fundit ka bërë që qyteti të shndërrohet nga një qytet tradicional bregdetar, në një destinacioni modern turistik në Shqipëri.
Aty ku Deti Adriatik takohet me Jonin shtrihet Vlora, duke mbetetur një qytet që nuk ofron vetëm një destinacion për pushime, por një udhëtim mes historisë, detit dhe natyrës.
Ajo që e bën Vlorën një qytet të veçantë në Ballkan është ndërthurja e disa elementeve: historia, deti që shtrihet përballë qytetit, malet që e rrethojnë, natyra, kultura dhe ritmi modern i një qyteti turistik.
Në qytetin ku u shpall pavarësia e Shqipërisë 114 vjet më parë sot gjenden disa atraksione dhe vende të trashëgimisë kulturore dhe historike të shqiptarëve, të vendosura brenda, jashtë dhe përreth qytetit.
Ndër ta spikasin Muzeu Kombëtar i Pavarësisë, Sheshi i Flamurit dhe Monumenti i Pavarësisë, Xhamia e Muradies, Kuzum Baba që është pika më e lartë e qytetit, Kalaja e Kaninës dhe destinacione të tjera.
Gjithashtu Zvërneci, Gadishulli i Karaburunit, Gjiri i Karaburunit, Ishulli i Sazanit krijojnë një kombinim të veçantë të detit, shkëmbinjve dhe natyrës, duke tërhequr turistë të shumtë nga Evropa, por edhe kontinente të tjera.
Me një vijë bregdetare që shtrihet nga qyteti drejt gjirit të Vlorës, Karaburunit dhe Llogarasë, Vlora është sot një ndër destinacionet më të preferuara turistike të Shqipërisë, që tërheq turistë të shumtë vendas dhe të huaj, pothuajse në çdo stinë të vitit.
Deti mbetet një nga pasuritë më të mëdha të Vlorës. Gjiri i qytetit ofron ujëra të qeta dhe plazhe të përshtatshme për pushime.
Qyteti i Vlorës është përfshirë nga ndryshime gjatë viteve të fundit. Bulevardi përgjatë detit, i njohur si Lungomare, është kthyer në një prej hapësirave më të frekuentuara të qytetit, me shëtitore, plazhe, ambiente gastronomike dhe struktura akomoduese.