Şeyma Erkul Dayanç
13 korrik 2026•Përditësim: 13 korrik 2026
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq u takua me Sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Feridun Sinirlioglu në Beograd për të diskutuar mbi sfidat e sigurisë dhe politike në Ballkanin Perëndimor dhe Evropë, raportuan sot mediat lokale, transmeton Anadolu.
"Ne diskutuam për vazhdimin e bashkëpunimit, zbatimin e reformave, përmirësimin e procesit zgjedhor dhe forcimin e institucioneve demokratike", tha Vuçiq në platformën e mediave sociale Instagram.
"Theksova se Serbia mbetet vazhdimisht e përkushtuar ndaj një politike të përgjegjshme dhe serioze të bazuar në respektimin e ligjit ndërkombëtar, dialogun dhe ruajtjen e paqes", shtoi ai.
Vuçiq tha se të dy palët diskutuan gjithashtu mundësitë rajonale dhe ndanë pikëpamjen se stabiliteti dhe një qasje e përgjegjshme janë çelësi për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor.
"Jam i bindur se vetëm një marrëdhënie e përgjegjshme, respekti i ndërsjellë dhe respektimi i vazhdueshëm i detyrimeve të ndërmarra mund të kontribuojnë në forcimin e besimit dhe një të ardhme më të sigurt për të gjithë qytetarët", tha ai.