Ahmet Gürhan Kartal
04 Shkurt 2019•Përditësim: 05 Shkurt 2019
LONDËR (AA) – Ekipet e kërkimit kanë vërejtur një trup në mbetjet e avionit që u aksidentua në Kanalin e La Manshit muajin e kaluar teksa po transportonte futbollistin argjentinas Emiliano Sala, njoftuan hetuesit britanikë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Bazuar në analizën e pamjeve të regjistruara, një "objekt me interes në shtratin e detit" u identifikua si rrënojat e avionit të humbur Piper Malibu, tha në një deklaratë Dega e Hetimeve Ajrore të Britanisë (AAIB).
"Tragjikisht...një trup është i dukshëm në mesin e mbetjeve", thuhet në deklaratë.
"AAIB tani po shqyrton hapat e ardhshëm, në konsultim me familjen e pilotit dhe pasagjerit dhe policinë", theksohet më tej.
AAIB gjithashtu tha se "synojnë të publikojnë një raport të përkohshëm brenda një muaji pas aksidentit".
Pas zbulimit të rrënojave të dielën, specialisti i aksidenteve detare David Mearns, i cili po udhëheq një hetim privat, tha se detajet e vendndodhjes së rrënojave janë ndarë me AAIB.
"Mbetjet e avionit me të cilin po udhëtonte Emiliano Sala dhe pilotohej nga David Ibbotson u lokuan herët në mëngjes", tha Mearns në Twitter të dielën.
Futbollisti argjentinas ishte në rrugë për t'iu bashkuar klubit të tij të ri, Cardiff City FC, pas nënshkrimit të kontratës prej 15 milionë funtash.
Aeroplani po udhëtonte drejt Kardifit nga qyteti francez Nantes, përpara se të zhdukej nga radari më 21 janar pranë ishujve të kanalit.