Muhammet Kurşun
24 Shtator 2019•Përditësim: 25 Shtator 2019
Ministri i Punëve të Jashtme i Iranit, Mohammad Javad Zarif, ka reaguar ndaj Francës, Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe të cilat e kanë akuzuar Iranin si përgjegjës për sulmin ndaj fabrikave të naftës në Arabinë Saudite, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një postim nga llogaria e tij në Twitter, Zarif pretendon se tre vendet e Bashkimit Evropian (BE) kanë dështuar në përmbushjen e angazhimeve të tyre në marrëveshjen bërthamore. Ai ka kritikuar këto tre vende për shkak se ato kanë akuzuar Iranin si përgjegjës për sulmet më 14 shtator ndaj Saudi Aramco.
"Tre vendet e BE-së kanë dështuar në përmbushjen e angazhimeve në marrëveshjen bërthamore pas tërheqjes së SHBA-ve. Ky problem mund të zgjidhet me shfaqjen e një vullneti të fortë për të ndjekur një rrugë të pavarur, duke mos përsëritur si papagall pretendimet boshe të SHBA-ve dhe duke respektuar marrëveshjen bërthamore", tha Zarif, duke mbrojtur idenë e tij se është zbuluar hapur se Gjermania, Franca dhe Britania nga maji i vitit 2018 e deri më tani nuk kanë mundur të përmbushin angazhimet e tyre në marrëveshjen bërthamore pa lejen e SHBA-ve.
Ministri iranian lidhur me deklaratat e vendeve të BE-së për marrëveshjen bërthamore thekson se "nuk do të ketë asnjë marrëveshje të re pa zbatuar marrëveshjen aktuale".
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryeministri britanik, Boris Johnson, të cilët ndodhen në New York për të marrë pjesë në mbledhjen e 74-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, publikuan dje një deklaratë të përbashkët.
“Është e qartë se Irani bart përgjegjësi për këtë sulm. Nuk ka asnjë shpjegim tjetër të arsyeshëm. Mbështesim hetimet në vazhdim për të arritur në më shumë detaje”, thuhet në deklaratë.