İdris Sülün
12 Gusht 2021•Përditësim: 12 Gusht 2021
Zbulohen informacione të reja lidhur me operacionet në Libi të grupit Wagner, i përbërë nga mercenarët rusë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në lajmin e saj special, BBC tërhoqi vëmendjen mbi operacionet e mercenarëve të grupit Wagner në Libi, lidhjet e tyre me ushtrinë ruse dhe kriminelët e luftës.
Në një tablet të harruar nga një mercenar i grupit Wagner, u gjetën informacione për rolin kritik të luftëtarit brenda organizatës dhe për emrat e koduar të luftëtarëve të tjerë. Ekspertët mbrojnë idenë se pajisjet ushtarake në "listën e blerjeve" që BBC ka siguruar, mund të sigurohen vetëm nga ushtria ruse.
Mendohet se tableti është harruar nga një ushtar mercenar gjatë tërheqjes në jug të Tripolit në pranverën e vitit 2020.
Teksa pretendohet se nga emrat e koduar brenda tabletit është përcaktuar identiteti i një luftëtari Wagner, thuhet se në pajisje ndodhen edhe pamje të dronëve.
Edhe lista gjithëpërfshirëse e armëve dhe pajisjeve ushtarake prej 10 faqesh, e datës 19 janar 2020 që BBC-së i është dhënë nga burimet inteligjente të Libisë, parashikohet se është gjetur në rajonin nga ku është tërhequr grupi Wagner.
Thuhet se lista jep ide se nga kush sigurohet financimi dhe mbështetja për operacionet e Wagner.
Në dokument listohen produktet e nevojshme për "plotësimin e objektivave ushtarake", 4 tanke, qindra kallashnikovë dhe sisteme radari produkte të teknologjisë së fundit.
Qeveria e Rusisë refuzon se ka ndonjë lidhje me grupin Wagner.
Grupi Wagner u bë i njohur për herë të parë me mbështetjen që dha ndaj separatistëve pro-rusë në konfliktet e shfaqura në lindje të Ukrainës në vitin 2014, ndërsa më pas u pretendua se ka operuar edhe në vendet si Siria, Mozambiku, Sudani dhe Republika e Afrikës Qendrore.