Dmitri Chirciu
11 mars 2022•Përditësim: 11 mars 2022
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky tha se rreth 100 mijë persona janë evakuuar në dy ditët e fundit nga qytetet ku vazhdon lufta me ushtrinë ruse, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në video-mesazhin e tij të publikuar në kanalin Telegram, Zelensky ka dhënë deklarata lidhur me procesin e evakuimit në zona të sigurta për civilët në Ukrainë.
Ai vuri në dukje se kanë krijuar korridore të ndihmës humanitare për evakuimin e civilëve nga qytetet Sumy, Trostyanets, Krasnopillya, Irpin, Bucha, Hostomel, Izyum. "Brenda një dite kemi evakuuar mbi 40 mijë njerëz ndërsa brenda dy ditëve rreth 100 mijë", tha Zelensky.
Më tej Zelensky tha se kanë ofruar ndihma humanitare në vend dhe se qytetet Mariupol dhe Volnovakha janë bllokuar plotësisht.
"Pavarësisht se njësitë ushtarake ruse vazhdojnë të hapin zjarr, kanë udhëzuar që në Mariupol të dërgohet një autokolonë me kamionë me ushqime dhe ilaçe. Por, pushtuesit goditën me tanke korridoret që kanë rëndësi jetësore për banorët e Mariupolit dhe këtë e kanë bërë me vetëdije të qëllimshme. Kjo është terrorizëm", tha Zelensky.
"Pretendimet se kemi bërë përgatitje për sulm kimik janë të rreme"
Duke mohuar pretendimet se ushtria e Ukrainës ka bërë përgatitje për sulm kimik, Zelensky tha:
"Rusia po përpiqet të mbulojë me propagandë krimet që kryen në Ukrainë. Kjo të shqetëson shumë. Nëse dëshironi të mësoni planet e Rusisë, duhet të shikoni se me çfarë i akuzon të tjerët. Për këtë kemi qenë të sigurt shumë herë".
Zëdhënësi i Ministrisë ruse të Mbrojtjes, Igor Konashenkov, më 9 mars pretendonte se ushtria e Ukrainës ka bërë përgatitje për të kryer veprime provokuese dhe se për këtë kishte sjellë 80 tonë amoniak në afërsi të qytetit Kharkiv.