Melike Pala
19 Nëntor 2024•Përditësim: 20 Nëntor 2024
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy në fjalimin e tij në Parlamentin Evropian (PE), theksoi rëndësinë e solidaritetit evropian duke thënë "(Presidenti rus Vladimir) Putin është më i vogël se fuqia e kombinuar e Evropës, edhe nëse lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong-un është pranë tij", transmeton Anadolu.
Zelenskyy iu drejtua deputetëve në seancën e jashtëzakonshme të mbajtur në Asamblenë e Përgjithshme të PE-së në Bruksel me rastin e ditë së 1.000-të të fillimit të luftës Ukrainë-Rusi.
Duke folur para fjalimit të presidentit ukrainas, presidentja e PE-së, Roberta Metsola uroi për "guximin" e tyre Ukrainën dhe popullin e saj të cilët kanë luftuar kundër Rusisë për 1.000 ditë. "Pavarësisht se sa kohë do të zgjasë, ne do të vazhdojmë të qëndrojmë pranë Ukrainës deri në lirinë dhe paqen e vërtetë", tha Metsola.
Zelenskyy falënderoi PE-në për mbështetjen ndaj vendit të tij që nga fillimi i luftës. "Së bashku me të gjithë Evropën, Amerikën dhe partnerët tanë në mbarë botën, ne arritëm jo vetëm të parandalonim Putinin të merrte Ukrainën, por edhe të mbronim lirinë e të gjitha kombeve evropiane", tha ai.
Duke iu referuar përfshirjes së Koresë së Veriut në luftë, Zelenskyy tha: "Putini është më i vogël se fuqia e kombinuar e Evropës, edhe nëse lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong-un është pranë tij. Unë ju këshilloj të mos e harroni këtë dhe se sa shumë gjëra mund të arrijë Evropa".
Ai vuri në dukje se Rusia ka vendosur 11 mijë ushtarë të Koresë së Veriut në kufirin me Ukrainën. "Ky numër mund të rritet në 100 mijë teksa disa liderë evropianë po mendojnë disa zgjedhje ose gjëra të ngjashme në dëm të Ukrainës. Putini është i fokusuar në fitimin e kësaj lufte. Nuk do të ndalet vetë", njoftoi Zelenskyy.
Pavarësisht mbështetjes së ardhur nga partnerët evropianë, Putini kundërshtoi Formulën e Paqes që ai paraqiti për t'i dhënë fund luftës, rikujtoi Zelenskiy i cili u shpreh se "Ne duhet ta detyrojmë Rusinë për këtë. Çdo goditjeje dhe çdo kërcënimi që vjen nga Rusia duhet t'i jepet përgjigje me më shumë sanksione".
- Thirrja për "armëpushim" nga grupi politik i kryeministrit hungarez
Përderisa përfaqësuesit e grupeve politike të qendrës së djathtë dhe liberale që folën në seancë, përsëritën mbështetjen e BE-së për Ukrainën, grupi i ekstremit të djathtë "Patriotët e Evropës" i formuar nën udhëheqjen e kryeministrit hungarez Viktor Orban bëri thirrje për "armëpushim".
Kinga Gal, e cila e nisi fjalimin duke thënë se dënon sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës dhe mbrojti të drejtën e Ukrainës për vetëmbrojtje, integritet territorial dhe sovranitet, bëri thirrje për armëpushim dhe fillimin e negociatave të paqes për t'i dhënë fund "tragjedisë njerëzore" që lufta ka shkaktuar prej 1.000 ditësh.
"Një përshkallëzim i konfliktit do të ketë pasoja të rënda. Kjo është arsyeja pse ne nuk marrim pjesë në dërgimin e armëve në Ukrainë dhe kundërshtojmë propozimet që do të çojnë në përshkallëzim. Sot ne duhet të përballemi me faktin se strategjia e BE-së ndaj Ukrainës nuk i plotëson pritjet dhe nuk i jep fund luftës", tha Gal.