Burç Eruygur
02 shtator 2026•Përditësim: 02 shtator 2026
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha të mërkurën se vendi i tij po finalizon tekstin e një “Marrëveshjeje për Dronët” me Gjermaninë, transmeton Anadolu.
Pas një bisede telefonike me kancelarin gjerman Friedrich Merz, Zelenskyy tha se kanë diskutuar çështjet lidhur me incidentin me dron në aeroportin e Leipzigut muajin e kaluar, për të cilin Berlini zyrtarisht fajësoi Rusinë, duke e cilësuar incidentin si “një tjetër përshkallëzim rus”.
Duke thënë se Merz e ka informuar për masat e ndërmarra nga Gjermania, Zelenskyy tha se nga ana e tij e ka siguruar kancelarin se Ukraina është e gatshme të ndihmojë, përfshirë me ekspertizë, përvojë ose në “fusha të tjera ku Gjermania mund të ketë nevojë”.
“Ekipet tona tashmë po finalizojnë tekstin e Marrëveshjes për Dronët dhe kjo, ndër të tjera, patjetër do t’u sigurojë si Gjermanisë, ashtu edhe Ukrainës kapacitete shtesë mbrojtëse”, tha më tej Zelenskyy, duke theksuar se kanë diskutuar përmbajtjen e marrëveshjes dhe kohën kur do të mund ta nënshkruajnë atë.
Zelenskyy tha gjithashtu se ai dhe Merz kanë rënë dakord të takohen personalisht, ndërsa shtoi se e ka falënderuar kancelarin gjerman për “mbështetjen e palëkundur dhe udhëheqjen e Berlinit në mbrojtjen e jetëve të ukrainasve”.
“Do të ketë paketa të reja të mbrojtjes ajrore nga Gjermania këtë muaj”, shtoi ai.
Ukraina ka nënshkruar “marrëveshje për dronët” me disa vende gjatë muajve të fundit për të nisur bashkëpunim gjithëpërfshirës në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.
Zelenskyy tha muajin e kaluar se Kievi ka përfunduar “marrëveshje për dronët” me nëntë vende, ndërsa 15 marrëveshje të tjera janë në proces zhvillimi.
Të martën, qeveria gjermane akuzoi zyrtarisht Rusinë për një përpjekje për sulm me dron ndaj aeroportit të Leipzigut më 4 gusht dhe njoftoi sanksione.
Masat përfshijnë mbylljen e Konsullatës së Përgjithshme të Rusisë në Bon deri më 18 shtator, ndërprerjen e një marrëveshjeje gjermano-ruse të vitit 2011 për qendrat kulturore dhe informative, si dhe mbylljen e Shtëpisë Ruse në Berlin.
Gjermania urdhëroi gjithashtu që personeli i të dyja misioneve dhe familjet e tyre të largohen nga vendi sa më shpejt të jetë e mundur.
Moska i hodhi poshtë akuzat e Berlinit, ndërsa ambasadori rus në Gjermani, Sergey Nechayev, i cilësoi masat si “të pabazuara, absurde dhe të palogjikshme”, duke thënë se “përshkallëzimi i paprecedentë” nuk do të mbetet “pa pasoja”.