Fatjon Cuka
15 nëntor 2017•Përditësim: 15 nëntor 2017
TIRANË (AA) - Zëvendësministri i Jashtëm i Austrisë, Michael Linhart, zhvilloi sot një vizitë në Shqipëri, ku si përfaqësues i Kryesisë së Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) për vitin 2017, gjatë takimeve me zyrtarët e vendit, nënvizoi rolin OSBE-së për mbështetjen e procesit të reformave në vend, transmeton Anadolu Aggency (AA).
Në një njoftim zyrtar nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, theksohet se gjatë vizitës, Linhart u takua me Presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta, Zëvendëskryeministren e vendit, Senida Mesi, zëvendësministren për Evropën dhe Punët e Jashtme, Artemis Dralo, si dhe kryetarin e opozitës, njëkohësisht kryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha.
Linhart gjatë takimeve me zyrtarët shqiptarë, por edhe në Prezencën e OSBE-së në Tiranë vlerësoi mbështetjen e dhënë nga OSBE për autoritetet shqiptare, "në përputhje me nevojat e vendit."
“Misionet e OSBE-së përfaqësojnë një vlerë të shtuar për organizatën tonë, për të ofruar ndihmë sipas nevojave përgjatë proceseve të vazhdueshme të reformave në vendet pritëse. E njohur anembanë Shqipërisë, Prezenca(OSBE-së) është provë e padiskutueshme e kësaj qasjeje. Ndihma për konsolidimin e shtetit të së drejtës, pavarësinë e gjyqësorit, si dhe për proceset zgjedhore transparente, të drejta dhe gjithëpërfshirëse, përbën një element kyç të mandatit të Prezencës”, ka theksuar Linhart, thuhet në njoftim.