Ata Ufuk Şeker
30 Maj 2023•Përditësim: 31 Maj 2023
Zyrtarët e Bashkimit Evropian (BE-së) dhe SHBA-së në një takim që do të mbajnë nesër do të diskutojnë për inteligjencën artificiale, teknologjitë në zhvillim, platformat online, tregtinë dhe teknologjinë, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë nga Komisioni Evropian (KE) thuhet se takimi i 4-t i Ministrave të Këshillit të Tregtisë dhe Teknologjisë BE-SHBA do të mbahet nesër në qytetin Lulea të Suedisë e cila ka presidencën e radhës të BE-së.
Në takim do të takohen Sekretari i Shtetit të SHBA-së, Antony Blinken, Sekretarja amerikane e Tregtisë, Gina Raimondo, Përfaqësuesja e Tregtisë së SHBA-së, Katherine Tai, zv/presidentja e KE-së, Margrethe Vestager, zv/presidenti i KE-së, Valdis Dombrovskis dhe anëtari i KE-së, Thierry Breton.
Përfaqësuesit e BE-së dhe SHBA-së në takime do të fokusohen në rritjen e bashkëpunimit dhe përcaktimin e qasjeve të përbashkëta në çështje të rëndësishme tregtare dhe teknologjike.
Në mesin e çështjeve kryesore që do të vlerësohen mes BE-së dhe SHBA-së janë inteligjenca artificiale, teknologjitë në zhvillim, platformat online, tregtia e qëndrueshme, kontrollet e eksportit, lehtësimi i tregtisë dhe skanimi i investimeve.
Këshilli i Tregtisë dhe Teknologjisë i cili filloi në vitin 2021 mes BE-së dhe SHBA-së, synon të avancojë bashkëpunimin në këto fusha dhe eliminimin e mosmarrëveshjeve në një mjedis dialogu.