Aysu Biçer
14 Tetor 2019•Përditësim: 15 Tetor 2019
Bashkimi Evropian (BE) përmes një deklarate ka bërë të ditur vendimin e saj për të ndihmuar Condor, degë e operatorit turistik të falimentuar Thomas Cook, me një ndihmë totale prej 380 milion euro (rreth 419 milionë dollarë), transmeton Anadolu Agency (AA).
"Kjo masë do të kontribuojë në sigurimin e vazhdimit të rregullt të shërbimeve të trasportit ajror dhe të shmangë pengesat për pasagjerët", thuhet në deklaratë.
Poashtu deklarata potencon kushtet e rrepta të kredisë, ku thuhet se kredia pas gjashtë muajsh ose do të shlyhet plotësisht ose Condor do t'i nënshtrohet një rikonstruimi gjithpërfshirës me çka do të sigurojë qëndrueshmërinë e saj afatgjate.
E përballur me mungesë akute të likuiditetit, Condor aplikoi për kredi pasi agjencia britanike Thomas Cook ndërpreu punën e saj.
Më 23 shtator Autoriteti i Aviacionit Civil njoftoi se Thomas Cook, një nga agjencitë më të mëdha turistike dhe të aviacionit, ka "pushuar së funksionuari me ndikim të menjëhershëm".
Falimentimi i agjencisë ikonike turistike të Britanisë, e themeluar 178 vite më parë, la më shumë se 20 mijë punonjës pa punë dhe së paku 150 mijë pushues të bllokuar jashtë vendit.
Rritja e prenotimeve online, paqartësitë rreth Brexit-it, kriza financiare e vitit 2007 dhe kriza e ndryshimeve klimatike llogariten si faktorët kryesorë të falimentimit të agjencisë.
Rrënimi gjithashtu ndodhi për shkak të dështimit për të siguruar një ndihmë qeveritare.