Ekip
15 Gusht 2022•Përditësim: 15 Gusht 2022
Presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk-yeol, ofroi stimuj ekonomikë për Korenë e Veriut në këmbim të denuklearizimit dhe u zotua të vendosë marrëdhëniet dypalëshe me Japoninë në rrugën e duhur, transmeton Anadolu Agnecy (AA).
Duke folur nga zyra e tij me rastin e Ditës së Çlirimit, Yoon Suk-yeol tha se qeveria e tij do të përmirësojë marrëdhëniet me Japoninë në bazë të deklaratës së përbashkët të vitit 1998.
"Në të kaluarën, ne duhej të çliroheshim nga kontrolli politik i vendosur mbi ne nga Japonia perandorake, në mënyrë që të mund të rifitonim dhe të mbronim lirinë tonë", citohet të ketë thënë Yoon në raportimin e agjencisë së lajmeve Yonhap.
Koreja e Jugut shënoi 77-vjetorin e pavarësisë nga sundimi kolonial i Japonisë që zgjati gjatë viteve 1910-45.
"Sot, Japonia është partneri ynë pasi ne përballemi me kërcënime të përbashkëta që sfidojnë lirinë e qytetarëve globalë", shtoi ai.
Marrëdhëniet dypalëshe u përkeqësuan midis Tokios dhe Seulit gjatë administrimit të ish-presidentit të Koresë së Jugut, Moon Jae-in, pasi të dy palët vendosën tarifa mbi importet.
Ai gjithashtu ofroi stimuj ekonomikë për Korenë e Veriut në këmbim të denuklearizimit dhe tha se denuklearizimi i Phenianit është "thelbësor" për paqen në rajon.
"Iniciativa e guximshme që unë parashikoj do të përmirësojë ndjeshëm ekonominë e Koresë së Veriut dhe jetesën e njerëzve të saj në faza, nëse Veriu ndalon zhvillimin e programit të tij bërthamor dhe fillon një proces të vërtetë dhe thelbësor për denuklearizimin", tha Yoon.
"Ne do të zbatojmë një program ushqimor në shkallë të gjerë; do të ofrojmë ndihmë për infrastrukturën e prodhimit, transmetimit dhe shpërndarjes së energjisë elektrike; si dhe do të kryejmë projekte për modernizimin e porteve dhe aeroporteve për tregtinë ndërkombëtare", shtoi ai.
Tensioni në gadishull u rrit në vitin 2020 kur Koreja e Veriut sulmoi dhe hodhi në erë zyrën ndërlidhëse ndërkoreane përgjatë kufirit. Seuli paralajmëroi për një përgjigje të fortë nëse Pheniani "përkeqëson më tej situatën".
Tensionet u rritën më tej vitin e kaluar kur Seuli dhe Pheniani i shtuan stërvitjet për të treguar fuqinë e tyre ushtarake.
SHBA dhe Koreja e Jugut i kanë dhënë disa oferta të dialogut Koresë së Veriut për të lehtësuar tensionet aktuale në gadishull, por Koreja e Veriut nuk është përgjigjur.