Vendimi i fundit i SHBA-ve për t’i dhënë fund përjashtimit nga sanksionet, që disa ekonomive të mëdha u mundësoi të vazhdojnë blerjen e naftës së papërpunuar nga Irani, ka vendosur Turqinë dhe Indinë në një dilemë pasi të dy vendet kanë varësi të konsiderueshme të energjisë nga Teherani, raporton Anadolu Agency (AA).
Për Indinë vendimi erdhi si një goditje e dyfishtë, sepse Washingtoni ka imponuar sanksione edhe ndaj furnizuesit tjetër kryesor të saj, Venezuelës. Po ashtu, koha e shpalljes erdhi në një kohë të keqe, në mes të zgjedhjeve kombëtare.
Qeveria e ardhshme do të duhet të përballet me ndikimin e saj, sapo të marrë përsipër kontrollin e pushtetit në javën e fundit të muajit maj.
Irani është furnizuesi i tretë më i madh i naftës në Indi, pas Irakut dhe Arabisë Saudite.
- Përgjigjja e matur indiane
Zyrtarisht, në një përgjigje të matur India tha se ishte përgatitur në mënyrë adekuate për t’u marrë me ndikimin e vendimit të SHBA-ve, megjithatë të brendshmit besojnë se është duke pritur një përjashtim të dytë, duke marrë parasysh partneritetin e ngushtë strategjik dhe rolin e ri që New Delhi po fitonte në Indinë e Paqësorit.
Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Raveesh Kumar, tha se qeveria do të vazhdojë të punojë me vendet partnere, përfshirë SHBA-të, për të gjetur të gjitha mënyrat e mundshme për të mbrojtur interesat e energjisë dhe të sigurisë ekonomike të Indisë.
“Qeveria i ka kushtuar vëmendje njoftimit të qeverisë së SHBA-ve për të ndërprerë lehtësimin e blerësve të naftës së papërpunuar nga Irani”, tha Kumar, duke shtuar se India është e përgatitur në mënyrë adekuate për t’u marrë me ndikimin e një vendimi të tillë.
India po ashtu po analizon ndikimin e sanksioneve dhe përgjigjen iraniane mbi zhvillimin dhe përdorimin e saj të portit iranian Chabahar, i cili kishte për qëllim lehtësimin e lidhjes alternative për Afganistanin, duke anashkaluar Pakistanin.
- Sfida e Turqisë
Në Ankara, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Hami Aksoy, tha se Turqia po përpiqet të bindë SHBA-të që të lirojë nga sanksionet dhe të lejojë importuesin më të madh të naftës “Tüpraş” të vazhdojë blerjen e naftës së papërpunuar nga Irani.
Pasi të dyja, Turqia dhe India, ishin në të njëjtën varkë, ndikimi i dhënies fund të përjashtimit të SHBA-ve për importet e naftës iraniane ishte pjesë e diskutimeve javën e kaluar në New Delhi midis këshilltarit të lartë turk presidencial, İbrahim Kalın dhe këshilltarit të sigurisë kombëtare indiane, Ajit Doval.
Megjithatë, zyrtarët indianë kanë treguar se ata gradualisht po reduktojnë varësinë e tyre nga nafta iraniane, ndërkohë Turqia së bashku me Kinën mbeten sfiduese.
“Evropianët kanë krijuar një mekanizëm për transaksion dhe pagesë (për të anashkaluar sanksionet e SHBA-ve ndaj Iranit). Ne jemi në kërkim të saj tani. Ne do të shohim nëse mund të bashkohemi ose të dalim me një mekanizëm të ngjashëm”, tha Kalın për një portal indian.
I pyetur nëse India kishte shprehur prirje për t’u bashkuar me një mekanizëm të tillë, zëdhënësi presidencial tha se “nuk ka dëgjuar këtë”, duke shtuar “por, padyshim që ata (India) nuk janë të kënaqur me sanksionet”.
Ai tha se përderisa Turqia po shqyrtonte opsione të ndryshme, ajo do të vazhdojë të tregtojë me Iranin. Ai po ashtu pohoi se sanksionet mbi Iranin do të dështojnë.
“Iranianët janë jashtëzakonisht të aftë për të rimarrë veten dhe janë mësuar se si të jetojnë në kushte të pafavorshme që nga viti 1979”, shtoi Kalın.
Një tjetër fushë me interes të përbashkët midis Indisë dhe Turqisë ka qenë marrëveshja për blerjen e sistemit të mbrojtjes ajrore S-400 nga Rusia. Të dy vendet janë nën kërcënimin e sanksioneve dytësore të shkaktuara nga Ligji i Luftës me Sanksione kundër Armiqve të Amerikës (CAATSA), e cila synon të pengojë vendet që të arrijnë marrëveshje të konsiderueshme me sektorët rusë të mbrojtjes dhe sigurisë.
- India ndërpret blerjet e naftës
Më parë, India kishte planifikuar rritjen e importeve të naftës nga Irani në rreth 500 mijë fuçi në ditë deri më 31 mars të këtij viti. Por, ajo duhet të ulte këtë nivel në vetëm 300 mijë fuçi në ditë.
Ashtu sikurse gjatë sanksioneve të mëparshme të importuara nga ish-presidenti amerikan, Barack Obama, zyrtarët indianë po punojnë për të përdorur pagesën e detyrimeve për naftë iraniane në monedhën indiane Rupia, të cilat Irani do t’i përdor si burim për mallra jo sanksionale dhe humanitare si ushqim dhe ilaçe nga India.
Por, këtë herë Washingtoni duket më i rreptë nën presidentin Donald Trump. Sipas shifrave të Departmentit të Shtetit të SHBA-ve, sanksionet kanë detyruar 1.5 milionë fuçi naftë iraniane të largohen nga tregu, kanë mohuar 75 anije-cisternë të lëvizin, si dhe kanë detyruar daljen e 100 korporatave nga Irani. Mbi 20 vende u kanë dhënë fund të gjitha importeve të naftës iraniane.
Përveç naftës, sanksionet e SHBA-ve po godasin edhe bujqësinë indiane, e cila po shkakton shqetësim në vend, pasi sektori i fermave tashmë është në rrezik në vend.
Për shkak të sanksioneve të SHBA-ve, Teherani nuk mund të shesë plehra drejtpërdrejt në Indi, por vetëm përmes ndërmjetësve, duke i bërë fermerët indianë të paguajnë 38 për qind më shumë për plehrat iraniane.
Për Indinë, nafta e papërpunuar iraniane është vendimtare për shkak të çmimeve të ulta dhe kredisë 90-ditore. Ndërsa sanksionet e SHBA-ve penguan transportuesin ndërkombëtar dhe siguruesit nga shtrirja e shërbimeve të tyre, Irani po ofronte dy depozita dhe sigurime sipas kontratave CIF (Kosto, Sigurime dhe Mallra) për të ofruar naftë në rafineritë indiane.
Sanksionet kanë goditur po ashtu edhe planet e Indisë për të blerë fushat e gazit Farzad B, që ndodhen në Gjirin Persik.
Tanvi Madan, drejtoreshë e projektit të Indisë në Institutin Brookings të SHBA-ve, besoi se New Delhi i zhgënjyer do ta shohë si një vendim të njëanshëm të SHBA-ve që pengon ose dëmton interesat e saj dhe kufizon zgjedhjet e veta.
“Edhe pse India nuk është objektivi i tyre primar, ajo është bërë dëm anësor për disa veprime të SHBA-ve. Këto përfshijnë tarifat e çelikut dhe aluminit të administratës, tërheqjen e saj nga marrëveshja e ndryshimit të klimës në Paris, tërheqjen e saj të planifikuar nga Afganistani si dhe sanksionet mbi Iranin, Rusinë dhe Venezuelën. Për më tepër, këto hapa forcojnë zërat dhe duart e atyre që janë në institutin indian, të cilët kërkojnë kujdes në avancimin e partneritetit me SHBA-të”, shkroi Madan javën e kaluir për një ‘think tank’.
news_share_descriptionsubscription_contact
