Bekim Laci
27 Tetor 2016•Përditësim: 27 Tetor 2016
SHKUP (AA) - Kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore (OEMVP) Nebi Hoxha dhe kryetari i Kuvendit, Kasam Zendeli sot dhe nesër do të jenë pjesë e Konferencës ekonomike ndërkombëtare “Montenegro 2016” që mbahet në Budvë të Malit të Zi ku do të trajtohen tema të zhvillimit të Ballkanit Perëndimor, transmeton Anadolu Agency (AA).
Kjo konferencë organizohet nga Oda Ekonomike e Malit të Zi në bashkëpunim me Komitetin për Marrëdhëniet Ekonomike të Evropës Lindore në Berlin. Siç njoftojnë nga OEMVP-ja, në hapjen e Konferencës fjalime përshëndetëse kishin kryetari i Odës Ekonomike të Malit të Zi Velimir Mijushkoviq, përfaqësuesi i Ministrisë së Ekonomisë dhe Energjetikës së Gjermanisë, Andreas Obersteller dhe presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviq.
Në panelin e parë të kësaj konference u prezantuan reformat e ndryshme politike si faktor kyç për perspektivën e shteteve të Ballkanit dhe zhvillimit ekonomik të tyre si dhe procesi i Berlinit, të arriturat dhe pritjet prej tij.
Në këtë panel mori pjesë edhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes së Shqipërisë Milva Ekonomi, e cila tha se politika duhet të fokusohet në zhvillimin ekonomik dhe bashkëpunimin rajonal, me theks në tregtinë e lirë si mjet lidhës në mes vendeve të Ballkanit.
Kryetarët e Odave Ekonomike nga Mali i Zi, Shqipëria, Bosnjë e Hercegovina, Kroacia, Kosova, Maqedonia, Sllovenia dhe Serbia diskutuan rreth perspektivave ekonomike të Ballkanit Perëndimor.
“Duke patur parasysh zhvillimet ekonomike deri tani në mes këtyre vendeve, mendoj se ka ardhur momenti që këtë bashkëpunim ta ristrukturojmë, ta vendosim në ura, të cilat janë më aftagjate dhe të vendosim pika kontakti që t‘iu shërbejnë bizneseve të Ballkanit dhe në mënyrë institucionale të ngritim këtë, sepse politikë e mirë është ajo politikë që dëgjon zërin e biznesit. Tregtia e lirë vetëm në letër si rrjedhojë e marrëveshjes CEFTA nuk është e mjaftueshme”, tha kryetari i OEMVP-së, Nebi Hoxha.
Në fokus të kësaj konference në panelet tjera ishin temat e bashkëpunimit të veçantë në sektorë si energjetika, infrastruktura, arsimi, industria e mineraleve, turizmit, agrobiznesit, industria përpunuese dhe tregtia.
Gjithashtu, u prezantuan edhe mundësitë e ndryshme për investime të huaja, përvojat e deritanishme dhe pritjet në të ardhmen, duke parë të gjitha këto nga këndvështrimi i një ekonomie kreative, si nevojë e Ballkanit, me theks të veçantë në inovacionet dhe qendrat për start-up bizneset.