Admir Fazlagikj
05 tetor 2020•Përditësim: 06 tetor 2020
Ministri i Financave të Maqedonisë së Veriut, Fatmir Besimi prezantoi ribalancin e dytë të buxhetit të shtetit, për të cilin tha se bëhet me qëllim që të sigurohet qëndrueshmëria e aktiviteteve vendore ekonomike dhe vendeve të punës, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Ribalanci i dytë i buxhetit është Ribalanci për zbatimin e Pakos së katërt të masave anti-krizë, i cili synon të sigurojë qëndrueshmërinë e aktiviteteve të brendshme ekonomike dhe vendet e punës, të rikuperojë aktivitete të caktuara, të sigurojë stabilitetin e transferimeve sociale dhe të sigurojë politika që do të ndihmojnë në zbatimin e strategjisë për dalje të shpejtë, në mënyrë që kur të mbarojë kriza të vazhdojmë me trendet pozitive të ekonomisë së re në zhvillim të vendit”, tha Besimi, duke prezantuar ribalancin e dytë.
Siç theksoi ai, me ribalancin e dytë rishikohet rezultati ekonomik për vitin 2020 në minus 4.4 për qind. Sipas ministrit Besimi, nëse nuk do të ishin ndërmarrë Pakot e masave, rënia ndoshta do të ishte më e lartë.
Sipas asaj që u prezantua, ana e të ardhurave të buxhetit me ribalancin e buxhetit mbetet e njëjtë, më saktë 196.4 miliardë denarë dhe ato janë planifikuar në një nivel pothuajse identik krahasuar me planin, ndërsa ana e shpenzimeve zgjerohet në 253 miliardë denarë ose me 4.2 për qind, pra me 10.1 miliardë denarë më e lartë në lidhje me ribalancin, i cili do të financojë një pjesë të masave. Bazuar në të hyrat dhe shpenzimet e planifikuara, deficiti pozicionohet në vlerën prej 56.6 miliardë denarë, 8.4 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. (PBB).
Ministri Besimi tha se “Këto fonde shpërndahen në buxhetet e ministrive përkatëse dhe institucioneve përgjegjëse për zbatimin e masave qeveritare përmes një nënprogrami të posaçëm qeveritar P1 – Masa për menaxhim me krizën COVID-19".
"70 milionë euro janë ndarë për mbështetje financiare për pagesën e pagave për punonjësit në sektorin privat, 27 milionë euro për kartelat pagesore vendore për kategoritë e prekura nga COVID-19, për mbështetjen e prodhuesve, përpunuesve dhe eksportuesve të rrushit, verës dhe verës në shishe 6.7 milionë euro, për mbështetjen e aktivitetit Ciceroni turistik 160 mijë euro, për kthimin e taksës turistike për vitin 2019, për qëndrime të realizuara gjatë natës 2 milionë euro, për blerjet gjatë vikendit përmes 'TVSH-ja ime' 17 milionë euro, për skemën e garancës shtetërore dhe garancës doganore përmes Bankës së Zhvillimit 13 milionë euro dhe grante për agjencitë e udhëtimit, terrenet e lojërave dhe restorantet për dasma 5.5 milionë euro", tha Besimi.
Ai tha se shkurtime ka tek shpenzimet për mallra dhe shërbime. "Janë planifikuar në vlerë prej 1 miliard denarë në shpenzimet kapitale prej 1.2 miliardë denarë ndërsa shpenzimet kapitale në nivelin e buxhetit bazë janë në të njëjtin nivel", tha Besimi.
"Sa i përket financimit të deficitit, nuk do të ketë huazime të reja nga jashtë. Zgjerimi i deficitit do të financohet në një pjesë të caktuar të depozitave të qeverisë dhe pjesërisht përmes letrave me vlerë të shtetit", tha ai.