Ekip
21 Nëntor 2022•Përditësim: 22 Nëntor 2022
Kostoja e terminaleve të planifikuara të gazit të lëngshëm natyror (LNG) do t'i kushtojë Gjermanisë 3.5 miliardë euro më shumë se sa ishte planifikuar, sipas një raporti në revistën "Spiegel", transmeton Anadolu Agency (AA).
Aktualisht janë rezervuar në total rreth 6.56 miliardë euro fonde buxhetore, konfirmoi sot Ministria Federale gjermane e Ekonomisë.
Më parë për terminalet e LNG-së ishin paraparë 2.94 miliardë euro. Rritja ishte “e nevojshme” për shkak të zhvillimit dinamik të situatës, sipas Ministrisë së Ekonomisë.
Ministria njoftoi se pas "konsultimeve të gjera me aktorë të shumtë" janë përcaktuar kostot e mëtejshme dhe se fillimisht janë konkretizuar kostot e parashikuara. Këto përfshijnë kostot operative dhe kostot për masat shtesë të infrastrukturës në tokë.
"Në veçanti, reduktimi dhe më pas ndërprerja e furnizimeve me gaz rus i bën këto absolutisht të nevojshme", shton ministria.
Dokumentet e komisionit buxhetor tregojnë se dy nga terminalet duhet të merreshin me qira për 15 vjet në vend të 10 vjetëve, siç ishte planifikuar fillimisht.
Sipas dokumenteve, "Spiegel" raporton se Gjermania ka negociuar mundësinë e shkurtimit të periudhës në 10 vjet, por për këtë duhet të vendoset që nga viti i ardhshëm.
Në parlament pati kritika nga opozita. Victor Perli, eksperti buxhetor i partisë së majtë Die Linke tha për "Spiegel" se koalicioni nuk ka bërë sa duhet për t'u mbrojtur ndaj shantazheve duke mos pasur alternativa për përdorimin e gazit LNG dhe tani do të duhet të paguaj miliarda më shumë.
Politikani buxhetor i Partisë së Gjelbër, Sven Christian Kindler tha se: "Në afatshkurtër duhet të sigurohet furnizimi me gaz, por duhet të jemi të kujdesshëm që të mos krijojmë kapacitete të tepërta fosile për të ardhmen në proces. Ne kemi nevojë për më shumë qartësi në komitetin e buxhetit në lidhje me kostot dhe rreziqet e projekteve LNG".